Kombëtarja e Italisë, ja historiku i trajnerëve
Pëlqej
Antonio Conte është trajneri i 49-të i Kombëtares italiane të futbollit, që ka nisur aventurën zyrtare në vitin e largët 1910. Trajneri barez pason në këtë detyrë paraardhësin e tij Cesare Prandelli, i cili dha dorëheqjen menjëherë pas eliminimit nga Kupa e Botës 2014 në fazën e grupeve.

Me rreth 3.5 milionë euro në sezon, Conte bëhet kështu një nga trajnerët më të shtrenjtë të stolit zikaltër dhe kontrata e tij zgjat për dy vitet në vazhdim, por faza eliminatore dhe mbi të gjitha "France 2016" do të shërbejnë si një test për të hedhur themelet e një bashkëpunimi më të gjatë mes Federatës Italiane të Futbollit ish teknikut të Juventus, i cili shihet si njeriu i duhur për të kapur ritmin e Gjermanisë që me suksesin në Botëror arriti në kuotën e 4 kupave të Botës, po aq sa kombëtarja Axurre.

Nëse kthehemi pas në kohë, trajneri i parë që drejtoi kombëtaren e Italisë ishte Umberto Meazza, që u ul në stol në datën 15 maj të vitit 1910, ndërsa në 1929-ën Vittorio Pozzo u ul në stol duke fituar dy titujt kampionë në vitet 1934 dhe 1938. Ai u bë automatikisht trajneri më i suksesshëm i Italisë, duke shkruar emrin e tij në historinë e Gadishullit Apenin. Pozzo u largua nga kombëtarja në vitin 1948 pas rreth 2 dekadave të lavdishme që pasuruan futbollin italian me eksperiencë ndërkombëtare dhe dy trofe me peshë si askush tjetër.

Vite të errëta ishin ato që shoqëruan më pas Kombëtaren Italiane e cila vuajti dominimin në rang botëror të Brazilit dhe Gjermanisë, dy kundërshtarët klasikë të të kaltërve edhe në ditët e sotme. Vitet kalonin dhe trajnerët e Italisë nuk gjenin paqe në stol.

Ishte Ferruccio Valcareggi ai që i dha stabilitet stolit të kombëtares duke fituar të parën Kupë të Europës në vitin 1968. Tekniku nga Trieste, edhe pse pak i njohur, hodhi themelet për një të ardhme të madhe pasi ai drejtoi ekipin edhe në vitin 1970 kur të Axurrët u shpallën nënkampionë bote. 7 vjet më vonë, strategu i madh, Enzo Bearzot u emërua trajner i parë. Ai ndërtoi një skuadër me elementë të rinj në botërorin e Argjentinës në vitin 1978, të cilët ndoqën këshillat e komisarit teknik me fanatizëm, duke zhvilluar një botëror magjik vetëm 4 vjet më vonë, duke shtrirë të tapet me një goditje të vetme Brazilin dhe Gjermaninë Perëndimore, për të fituar kupën e tretë të botës pas 44 viteve shterpësi.

Bruno Conti, Cabrini, Rossi, Tardelli, Zoff dhe gjithë lojtarët e asaj skuadre mbahen mend dhe kujtohen me fanatizëm edhe gjatë ditëve të sotme në Itali.

Bearzot u largua nga stoli në vitin 1986, ndërsa 8 vjet më vonë, Arrigo Sacchi e çoi kombëtaren deri në finalen e botërorit ku u mund me 11 metërsha nga Brazili. Një tjetër dështim ishte edhe ai i vitit 2000 në finale e Europianit ku Italia e Dino Zoff-iot u mund nga Franca në finale, ndërsa Marcello Lippi u hakmorr 6 vjet më vonë ndaj të njëjtëve kundërshtarë në finale e Berlinit që qëndisi yllin e katërt në fanellën e kaltër.

Që nga ai vit, kombëtarja e Italisë është endur mes ujërave të turbullta dhe emërimi i Contes pas erës Prandelli është një sinjal për të kërkuar ringritjen e futbollit kombëtar në Gadishull sepse futbolli modern i Gjermanisë por edhe 45 titujt botërorë të Brazilit mund të shërbejnë si një sinjal alarmi për Italinë, e cila dalëngadalë po humbet kontaktet me elitën e futbollit botëror. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 16:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori