Kontratë galaktike për Sergio Ramos
Kontratë galaktike për një super protagonist. Sergio Ramos do të firmosë shumë shpejt një akord të ri me Real Madrid, falë influencës së jashtëzakonshme në fushën e lojës dhe në dhomat e zhveshjes të ekipit të Carlo Ancelottit. Në sezonin e fundit, mbrojtësi i "Los Blancos" ka larguar çdo dyshim që mund të ekzistonte rreth tij në zyrat e drejtuesve në "Santiago Bernabeu".

Në paktin e ri që pritet të firmosë para sezonit të ardhshëm, futbollisti nga Sevilla do të marrë në duar një kontratë galaktike, të ngjashme me atë të Gareth Bale, pra konkretisht 10 milionë euro neto në vit dhe përveç uellsianit, përpara në listën e më të paguarve do të ketë vetëm Cristiano Ronaldon, shkruan spanjollja "Marca".

Nëse gjatë sezonit të kaluar ishte rinovimi i portugezit që u konsiderua si operacioni kryesor brenda kampit madrilen, tani është kontrata e re e Sergio Ramos që vlen më shumë se çdo gjë. Bëhet fjalë për një futbollist që mund të quhet me plot gojën, pjesë e historisë së Realit.

Në sezonin e fundit, me golin e tij në Lisbonë, Ramos bëri të kërcente nga stoli presidentin Perez, duke konfirmuar edhe njëherë vlerat që klubi kërkon të transmetojë. Janë shpirti i garës dhe i kurajos, vlera që më parë nga Los Blancos përcilleshin nga legjenda si Pirri, Juanito, Hierro e Raul. /albeu.com/
Shtuar më 11/06/2014, ora 10:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori