Koret raciste, trajneri i Bullgarisë kërkon falje
Trajneri i Kombëtares së Bullgarisë, Krasimir Balakov, ka kërkuar falje pasi që fillimisht kishte thënë se s’kishte dëgjuar thirrje raciste nga tifozët bullgarë drejt lojtarëve të Anglisë gjatë ndeshjes të së hënën në kuadër të kualifikimeve në EURO 2020.

Ross Barkley dhe Raheem Sterlingu i shënuan nga dy gola për t’i ndihmuar skuadrës së Gareth Southgate t’u kthehet fitoreve kundër Bullgarisë të hënën, pas disfatës 2:1 kundër Çekisë.

Por, ndeshja u la nën hije nga thirrjet raciste të tifozëve të Bullgarisë drejt disa lojtarëve të Anglisë. Ky incident u raportua te zyrtaret e ndeshjes dhe ndeshja u ndal dy herë para se të përfundonte pjesa e parë.

Para ndeshjes, Balakov e akuzoi Anglinë se ka problem më të madh me racizmin në futboll sesa vendi i tij dhe ai vazhdoi me të njëjtën qëndrim edhe pas ndeshjes, duke thënë se s’kishte dëgjuar asnjë thirrje raciste dhe se kishin qenë tifozët anglezët ata që kishin shfaqur “sjellje të pahijshme”.

Deklaratë të ngjashme me Balakovin bëri edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mikhaylov, i cili pastaj u detyrua të japë dorëheqje nga posti i tij. E përderisa Balakov s’ka dhënë dorëheqje, ai ka kërkuar falje.

“Unë i dënoj të gjitha format racizmit si sjellje të papranueshme, që është në kundërshtim me marrëdhëniet normale njerëzore. Mendoj se kjo formë e paragjykimit duhet të groposet thellë në të kaluarën tonë dhe askush nuk duhet të vuajë nga kjo më”, shkroi Balakov në Facebook.

“Unë i kam stërvitur shumë skuadra bullgare me lojtarë të origjinave të ndryshme dhe asnjëherë s’e kam gjykuar askënd në bazë të ngjyrës së lëkurës së tyre. Për më tepër, unë gjithmonë kam qenë aktiv në iniciativat e tilla”.

“Komentet e mia para ndeshjes kundër Anglisë se Bullgaria nuk ka problem me racizmin ishin të bazuara në faktin se në kampionatin lokal nuk shohim probleme të nivelit të tillë”.

“Mund të ketë pasur raste individuale , mirëpo kjo nuk është diçka që e shohim në stadiume. Shumica e tifozëve nuk u bashkuan në ato thirrje dhe unë besoj se ky ishte rasti edhe me ndeshjen kundër Anglisë”.
Shtuar më 16/10/2019, ora 17:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori