Kreshnik Qato, per te katerten here kampion bote ne boks
Albeu.com
Boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, ka mbrojtur për të katërtën herë titullin e kampionit të botës në versionin "World Boxing Federation", pasi ka mposhtur argjentinasin Esteban Valdemar Ponce me vendim unanim pas 12 raundesh.
Qato është ngjitur në ringun e pallatit të sportit "Asllan Rusi" në Tiranë dhe kundërshtari i radhës për boksierin kuqezi ka qenë argjentinasi Esteban Valdemar Ponce, i cili deri në ndeshjen e mbrëmshme, regjistronte në ringun profesionist 16 fitore, nga të cilat 8 i ka mbyllur me nokaut (K.O), si dhe 4 humbje dhe 1 barazim.

Raundi i parë ka qenë kryesisht i barazpeshuar, pasi dy boksierët kanë studiuar njëri-tjetrin, ndërsa ai i dyti ka folur më mirë për boksierin shqiptar.

Megjithatë, argjentinasi Ponce është kundërpërgjigjur në raundin e tretë, duke arritur madje edhe ta rrëzojë Qaton në "knock-down", duke shkaktuar edhe drithërima në publikun e ndezur të Pallatit të Sportit "Asllan Rusi".

Por boksieri kuqezi është çuar në këmbë dhe raundi i katërt ka rikthyer barazpeshën në lojë, ndërsa Qato ka shpërthyer në raundin e pestë, duke e goditur disa herë rrezikshëm kundërshtarin.

Edhe raundi i 6-të ka folur në përgjithësi për kampionin shqiptar të botës, që duket se e ka kapërcyer tanimë atë rënie në tapet në raundin e tretë dhe gradualisht e sulmon gjithnjë e më tepër kundërshtarin.

Raundi i 7-të ka rikthyer baraspeshën në nivelin e duelit, pasi edhe Ponce ka reaguar, duke u mbrojtur me sukses dhe duke shfrytëzuar njëfarë euforie të Qatos.

Megjithatë, shqiptari korrigjon veten në që fillim të raundit të 8-të, duke sulmuar ethshëm, por ritmi rikthehet në nivelin e tij normal pak më vonë.

Raundi i nëntë ka qenë pa shumë histori, kryesisht i qetë dhe me ndonjë goditje sporadike të të dy boksierëve.

Lodhja siç duket po bënte të vetën dhe në raundin e 10-të, Qato është munduar të godasë disa herë rrezikshëm, por duke e lënë hapur veten ndaj kundërsulmeve të argjentinasit. Por në raundin e parafundit, duke synuar edhe një fitore me pikë, boksieri shqiptar ka qenë më superior ndaj kundërshtarit, duke arritur edhe ta shtyjë argjentinasin drejt një "knock-down" që gjithsesi nuk u materializua.

Epilogu i ndeshjes ka parë Poncen të sulmojë në kërkim të pikëve të fundit, por Qato është mbrojtur me efikasitet, duke pritur gongun dhe duke u hedhur i tëri në sulm, por pa e hedhur dot në "knock-out" kundërshtarin.

Gjithsesi, edhe kaq ka mjaftuar, pasi të tre gjyqtarit e ndeshjes ia ka dhënë fitoren 32-vjeçarit kuqezi, përkatësisht me 118-109,

117-110 dhe 118-109 pikë secili, duke fituar me vendim unanim me rezultatin 353-328. Kështu, boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, ka mbrojtur për të katërtën herë titullin e kampionit të botës në versionin "World Boxing Federation".

Menjëherë pas fitores që ka arritur ndaj argjentinasit Esteban Valdemar Ponce, Kreshnik Qato, ia ka kushtuar këtë fitore si gjithmonë shqiptarëve dhe ka falënderuar promotorin e tij Ylli Ndroqi për organizimin.

"Ishte një fitore e vështirë, por mjaft e bukur sepse e arrita përpara tifozëve të mi”, - ka deklaruar ai pak çaste pasi ishte kurorëzuar për të katërtën herë kampion i botës në versionin WBF.

“Kjo fitore është kurorëzimi i një pune të vazhdueshme dhe përfitoj nga rasti të falënderoj edhe një herë Ylli Ndroqin për mbështetjen që më ka dhënë dhe më jep dhe për këtë organizim të mrekullueshëm të kësaj mbrëmje", ka deklaruar Qato paskëtaj.

Ndërsa, promotori Ylli Ndroqi nga ana e tij, e ka cilësuar këtë fitore të boksierit kuqezi si një fitore të shqiptarëve dhe një tjetër gur kilometrik i suksesit të ringut shqiptar.

"Kjo ishte një fitore aq e vlefshme për mua sa për të gjithë shqiptarët e për më tepër që erdhi pas një ndeshje të fortë dhe të bukur, - ka theksuar ai. - Ishte një ndeshje me nivel të lartë, midis dy boksierëve të përgatitur dhe prandaj them që ishte një fitore mjaft e vlefshme”.

Boksieri shqiptar Kreshnik Qato dhe promotori i tij, Ylli Ndroqi po mbajnë një konferencë për shtyp një ditë pasi Qato u rikonfirmua kampion bote në versionin WBF pas fitores ndaj argjentinasit Esteban Ponce.

Olaf Chroder, përfaqësues i WBF tha se mbrëmja e djeshme ishtë një natë historike për boksin shqiptar. “Ishte show më i madh në këto 3 vjet që unë kam qenë në Shqipëri”, tha ai. Sipas tij, ndeshja kryerore ishte fanstastike dhe një sfidë e vërtetë.
Shtuar më 03/05/2010, ora 16:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori