Kryesuesit e Kategorisë së Parë shpërblehen për sezonin pozitiv (FOTO LAJM)

Pogradeci, pas lajmit të ndërprerjes së kampionatit, ka mbyllur stërvitjen si ekip, duke kaluar në një plan të dytë, atë të stërvitjes individuale.

“Kemi zhvilluar normalisht procesin stërvitor, them normalisht për kushtet ku jemi, pasi ka pasur shumë kujdes nga ne për futbollistët. Jemi munduar që kontaktet mes lojtarëve të jenë të pakta, duke zgjedhur ushtrime që i mbajnë ata larg njëri-tjetrit deri në 5 metra. Mësuam se gara është ndërprerë pa afat dhe vendosëm që ekipi të mos grumbullohet të paktën deri të hënën”, sqaron trajneri Abazaj.

Ardian Abazaj

“Stafi ynë ka përpiluar plane individuale për çdo futbollist. Mes bukurive të qytetit tonë, ku temperaturat kanë filluar të rriten, kushdo gjen mundësi për stërvitje larg të tjerëve”, thotë me pak humor trajneri pogradecar.

Ditët e fundit, presidenti dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka takuar ekipin për mbylljen me sukses të dy fazave të para. Ai ka falënderuar stafin teknik dhe lojtarët për vendin e parë, duke shpërndarë edhe një shpërblim prej 30 mijë lekësh për kokë. Takimi në fjalë ishte edhe një sinjal i mbështetjes që Pogradeci ka për fazën finale të kampionatit. Pogradecin e ndajnë 6 ndeshje nga Superiorja.
Shtuar më 13/03/2020, ora 20:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori