Kundër Francës, vetëm në sulm
Kombëtarja shqiptare është grumbulluar të hënën në Durrës, ku do t'i zhvillojë përgatitjet për ndeshjen e 7 tetorit kundër Francës që do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2012’.

Mesfushori i ekipit rumun, Dinamo Bukuresht, Elis Bakaj thotë se kuqezinjtë duhet të luajë pa presion dhe nuk duhet të frikësohen nga francezët pasi tashmë nuk kanë çfarë të humbin.

"Për mendimin tim, nuk duhet të luajmë në mbrojtje pasi nuk kemi se çfarë të humbasim. Në Francë nuk duhet të shkojmë si inferiorë dhe as me kokën ulur. Nuk kemi presion, nuk kemi çfarë të humbasim", ka thënë Bakaj.

Ekipit francez të premten pritet t'i mungojnë Ribery, Benzema, Sagna e Abidali. Por Bakaj mendon se këto mungesa nuk i shqetësojnë ‘Gjelat’ pasi në radhët e tyre kanë shumë lojtarë cilësorë.

Për ndeshjen kundër Francës, ekipit kuqezi do t'i mungojnë Altin Lala, Ansi Agolli e Admir Teli (të pezulluar), Ervin Skela që është tërhequr nga përfaqësuesja, dhe Dabatik Curri i lënduar.

Ndërsa më 11 tetor, kuqezinjtë në stadiumin "Qemal Stafa" do ta presë Rumaninë, e cila është edhe ndeshje përmbyllëse e eliminatoreve për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Poloni e Ukrainë.

Shqipëria i kishte nisur mirë eliminatoret për Euro 2012, mirëpo në ndeshjet e fundit ka pësuar një rënie drastike. Kuqezinjtë gjenden në vendin e pestë në Grupin D me vetëm 8 pikë të tubuara. /albeu.com/
Shtuar më 04/10/2011, ora 16:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori