Kupa, eleminohen Tirana dhe Vllaznia
Përcaktohen 8 skuadrat e kualifikuara për në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Nga grupi A vijojnë më tej Skënderbeu, Kastrioti, Kukësi dhe Shkumbini, ndërsa nga grupi B e kalojnë fazën Teuta, Flamurtari, Bylis dhe Laci. Jashtë mbeten dy skuadra me emër e traditë të madhe në futbollin shqiptar, Vllaznia dhe Tirana.

Sikurse shihet, nga katër skuadra për secilin grup kanë fituar të drejtën të përparojnë në këtë kompeticion, teksa ndeshjet e së mërkurës kanë dhuruar emocione jo të pakta. Të tilla kanë qenë ato në Niko Dovana, ku Teuta e ka parë veten në disavantazhin 2-0 momentalisht, duke drithëruar zemrat e tifozëve durrsakë, por nuk ka vonuar përmbysja e bregdetarëve, që kanë shënuar katër herë dhe janë kualifikuar për në cerekfinale të Kupës.

Dramatike situata në “Loro Borici”, ku Vllaznia e kishte marrë disi lehtë kundërshtarin, edhe pse ishte mundur 1-0 në Peqin. Bardhekaltrit e Gugash Maganit kanë arritur të shënojnë në portën e Vujadinovicit në minutën e 66-të, duke e bërë skajshmërisht të vështirë misionin e kuqebluve.

Siukrse pritej, Tirana e 24 titujve të kampionit të Shqipërisë është eliminuar nga Kukësi, duke regjistruar një njollë jo të vogël në historikun e vet. Verilindorët kanë siguruar të parët epërsinë 2-0 në pjesën e parë, duke ia bërë krejtësisht të pamundur skuadrës së Tafajt përmbysjen e madhe, sepse pokeri i fiksuar më herët në “Zeqir Ymeri” dhe golat e Prognit e Allmucës në kthim krijojnë një hendek të madh për t’u superuar.

Megjithatë në pjesën e dytë kryeqytetasit kanë evituar humbjen e tretë radhazi me debutuesit në Superiore. Çota, Morina dhe Gilman Lika janë autorët e tre golave bardheblu, që kanë fiksuar përfundimisht rezultatin 3-2, por pa mundësuar kalimin në turin e tretë të kupës. /albeu.com/


Ja rezultatet:

GRUPI A
SKËNDERBEU-KAMZA 3-0 (1-0)
Golat: Soza 22′, 75′, Tahirllari 88′
Gjyqtarë: A.Koci, F.Elezi, F.Lamaj

TIRANA-KUKËSI 3-2 (0-4)
Golat: Cota 62′, Morina 64′, G.Lika 85′ / Progni 2′, Allmuca 27′
Gjyqtarë: E.Peza, D.Rexha, E.Bicaku

KASTRIOTI-APOLONIA 0-0 (2-1)
Gjyqtarë: O.Sokoli, R.Avdo, N.Bregasi

VLLAZNIA-SHKUMBINI 2-1 (0-1)
Golat: Rexha 82′, Osmani 88′ / Lluca 66′
Gjyqtarë: K,Cjapi, I.Tartari, O.Grabova

GRUPI B
TEUTA-LUSHNJA 4-2 (0-0)
Golat: Mancaku 64′ (pen), 72′, Deliallisi 68′, A.Hoxha 82′ / Metushi 7′, Canka 57′
Gjyqtarë: B.Ziri, E.Veseli, Sh.Ziri

FLAMURTARI-BESA 1-1 (1-0)
Golat: Muzaka 80′ / Kaja 90′
Gjyqtarë: R.Sadiku, R.Preca, R.Ganxhi

BYLISI-LUFTËTARI 3-1 (1-2)
Golat: Gega 14′, Bakiu 53′, Arifaj 70′ / Mersini 55′
Gjyqtarë: D.Jubica, D.Salaj, Gj.Bori

LAÇI-TOMORI 3-1 (0-0)
Golat: Bilibashi 48′, Buljan 53′, Emurllai 67′ / Paja 61′
Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Agaraj, D.Myftari
(Shënim: Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para, vajtje)
Shtuar më 07/11/2012, ora 16:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori