Kush stërvitet keq dënohet nga ruleta e tersi, skuadra gjermane aplikon model edukativ
Një modë argëtuese, por edhe shumë edukative. Ose, të paktën funksionale. Gjithnjë e më shumë skuadra në Gjermani i besojnë ruletës së tersit.

Një risi për të stimuluar lojtarët që të japin gjithnjë maksimumin në stërvitje, përndryshe do të marrin dënime poshtëruese dhe të lodhshme. Shtutgarti, aktualisht në Bundesligën 2 (ra në maj pasi humbi “play-out”-in kundër Unionit të Berlinit), vendosi t’i kryejë seancat stërvitore këtë sezon në mënyrë me të vërtetë të veçantë: trajneri Tim Valter jep pikë për çdo ushtrim. Futbollistët që grumbullojnë më pak, natyrisht ndëshkohen.

Ideja

Në dhomën e zhveshjes së Shtutgartit, prej mesit të qershorit dhe deri tani, është vendosur një ruletë e madhe e tersit që rrotullohet në fund të çdo seance stërvitore. Në ruletë janë vendosur simbole të ndryshme dënimesh, të cilave u nënshtrohen lojtarët të cilët në stërvitje kanë bërë keq: nga një seri e gjatë pompash, deri në garat e vrapimit mes shokëve.

Dënimet janë të shumta. Në ruletë ka edhe një xhol që i shpëton të humburit nga ndëshkimi. Dhe nga Mario Gomez, sulmuesi simbol i klubit, deri tek i fundit i rezervave, kush humbet paguan pasojat, duke marrë sigurisht edhe talljet e shokëve. “Dënimet janë me të vërtetë të bezdisshme, por duhet të ekzistojnë”, shpjegon mesfushori Filip Klement.

PRECEDENTËT

Trajneri Valter në realitet nisi ta përdorte ruletën e tersit kur drejtonte klubin e Kielit, ku punoi deri sezonin e fundit. Diçka shumë e ngjashme u eksperimentua edhe nga klubi i Lajpcigut, derisa ishte Rangnik në stol, por atje lojtarët dënoheshin (detyroheshin që të frynin topat dhe t’i pastronin në fund të stërvitjes apo të punonin për një ditë si shitës në dyqanet zyrtare) në rast se nuk respektonin rregullat e dhomës së zhveshjes.

Kush mbërrinte vonë në stërvitje, përdorte telefonin në vende të ndaluara apo prezantohej pa uniformë, duhet të rrotullonte ruletën dhe më pas i nënshtrohej fatit që vendoste shigjeta. Tani kjo ruletë po shndërrohet në modë të vërtetë, argëtuese, por edhe edukative dhe gjermanët po e shfrytëzojnë më së miri.
Shtuar më 13/09/2019, ora 19:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori