Lajm i mirë për Kosovën, Muriqi dhe Rashica do të thirren për ndeshjen me Maqedoninë
Kosova po bëhet gati për njërën nga ndeshjet më të mëdha në histori të saj, atë me Maqedoninë e Veriut.

Më 8 tetor Kosova udhëton drejt Shkupit për t’u ndeshur me Maq. e Veriut në kuadër të ndeshjes gjysmëfinales së Ligës së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Ditëve të fundit ekipi ynë është përballur me shumë telashe për shkak të pandemisë, por edhe lëndimeve, megjithatë gjërat së fundmi kanë nisur të përmirësohen.

Kështu thotë edhe ndihmëstrajneri te Kosova, Muharrem Sahiti, i cili ka thënë se dy yjet e Kosovës, Vedat Muriqi e Milot Rashica, pritet të jenë pjesë e grumbullimit.

"Sigurisht që problemet janë të mëdha për shkak të pandemisë, por them se deri në këtë moment gjërat janë mirë. Ne më 5 tetor e kemi grumbullimin dhe aty do të dihet saktë se çfarë do të ndodhë, edhe pse edhe tash e dimë, por mbetet të shihet sesi do të kalojë kjo javë, a do të kemi ndonjë lëndim ose probleme tjera", ka thënë Muharremi Sahiti për "Zeri", duke konfirmuar se edhe Vedat Muriqi, i cili këtë afat kalimtar iu bashkua Lazios, do të jetë pjesë e grumbullimit, derisa Milotin po e ndjekin nëse do të jetë 100 për qind i gatshëm.

"Gjasat që ata të jenë pjesë e ekipit janë shumë të mëdha. Vedati do të ftohet në ekip, sigurisht nëse gjërat nuk ndryshojnë deri me 5 tetor. Miloti pas lëndimit me Moldavinë ka pasur stërvitje me pak, pra kishte kufizime. Mbetet të shihet nëse do të jetë në gjendje qindpërqind por edhe tek ai besojmë. Pra nëse nuk ndryshojnë gjërat këtë javë ai do të jetë pjesë e jona", ka thënë Sahiti duke shtuar se pavarësisht se cilët lojtarë do t’i kenë në dispozicion ata në Shkup do të kërkojnë vetëm fitore.

"Ne atje shkojmë për fitore dhe nuk ka alternativë tjetër. Me ata lojtarë që kemi në dispozicion me ata shkojmë për të dhënë gjithçka për ta realizuar këtë ëndrrën të madhe që po e përjetojmë. Ne tash nuk do t’i vajtojmë lojtarët që nuk do t’i kemi. Me ata që do t’i kemi shkojmë me të gjitha forcat, sigurisht aq më mirë do të ishte nëse jemi të kompletuar pasi gjasat atëherë do të jenë shumë më të mëdha për kualifikim", ka përfunduar Muharrem Sahiti.
Shtuar më 30/09/2020, ora 13:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori