Lala nuk sheh barazim: Luajmë për maksimumin
Albeu.com
Ndaj Bullgarisë luhet "për jetë a vdekje". Kjo është ideja që trajneri Bariç ka dashur t‘u japë kuqezinjve para sfidës së rëndësishme që luhet sot në "Qemal Stafa" dhe duket se edhe kapiteni i Kombëtares tonë, Altin Lala, është i të njëjtit mendim.Sipas mesfushorit, në këtë ndeshje të vështirë thuajse nuk ekziston mundësia që të përsëritet një tjetër barazim si ai i arritur në Sofje, pasi të dyja skuadrat do të luftojnë për objektiva më se të qartë. "Kjo është një ndeshje shumë e vështirë, për faktin që Bullgaria ka shansin e fundit të vogël për kualifikimin në EURO 2008, ndërsa ne është e qartë që kërkojmë vendin e katërt në Grupin G. Këto janë arsyet që më bëjnë të mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Kam një ndjenjë se ky takim do të mbyllet me një rezultat shumë pozitiv në favorin tonë apo për ta, nuk do të ketë diçka të mesme si barazimi dhe loja do të jetë mbi mesataren", tregon një prej futbollistëve me më shumë eksperiencë në kampin kuqezi. Me skemën e ideuar nga Bariç për këtë sfidë, kapitenit do t‘i mungojë një mbështetje në qendër të mesfushës, pasi do të rreshtohet i vetëm në qendër përballë të rrezikshmit Stilian Petrov. Gjithsesi, Lala është i bindur se lojtarët e tjerë do të japin një kontribut shumë të rëndësishëm në fazën mbrojtëse. "Ndaj Bullgarisë, unë kam si detyrë të merrem vetëm me fazën mbrojtëse, për t‘u mbyllur hapësirat kundërshtarëve. Nuk mendoj se do të jem i vetëm, pasi edhe mesfushorët e krahëve do të kthehen drejt qendrës për të ndihmuar në manovër, për të mos qenë e vetmja pengesë e kundërshtarëve para mbrojtjes sonë. Një taktikë e tillë është shumë e rëndësishme për ne. Mungesa e Canës është e ndjeshme në Kombëtare, pasi ai është një futbollist shumë i fortë. Kemi luajtur gjithmonë bashkë dhe kemi kombinuar mirë. Fatmirësisht, ai do të kthehet me Bjellorusinë, që është një tjetër ndeshje e rëndësishme për ecurinë tonë në takimet e fundit dhe objektivat që kemi", tregon Lala. Duke u kthyer te ndeshja e sotme, kapiteni tregon se ka një mënyrë për të ndalur ofensivën bullgare. Ai shpreson që gjërat të shkojnë si në takimin e parë, ku me kalimin e minutave, bullgarët humbën qetësinë dhe nuk arrinin të krijonin raste të rrezikshme para portës sonë. "Nëse ata duan të kenë një shans për të marrë pjesë në Evropian, duhet të fitojnë të tri ndeshjet e mbetura, ndaj do të provojnë gjithçka për të fituar sfidën. Nëse ne do të jemi të përqendruar dhe të lidhur si reparte që në fillim dhe nëse do të arrijmë t‘i bëjmë presion, do t‘ia vështirësojmë punën dhe do t‘u krijojmë probleme të mëdha. Ata nuk kanë mentalitet gjerman dhe gjakftohtësi, janë shumë emocionalë si ekip. Shpresojmë që ta fillojmë ndeshjen me pak presion që ata të mos e kenë të lehtë të dalin në lojën e tyre", ishte "formula" e kapitenit kuqezi për një rezultat pozitiv në këtë sfidë. G. Shqip
Shtuar më 17/10/2007, ora 23:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori