Lampard do Milanin, Galliani e refuzon
Dje mediat angleze kanë zbuluar një prapaskenë tepër interesante për sa i përket mesfushorit anglez të Chelsea, Frank Lampard. Mesfushori 34-vjeçar është një ndër mesfushorët më të mirë në botë dhe kontrata e tij me klubin londinez skadon më qershor të vitit 2013.

Sipas së përditshmes britanike "Daily Mail", menaxheri i mesfushori anglez i ka telefonuar ditë më parë administratorit të Milanit, Adriano Galliani ku i ka matur pulsin drejtuesit kuqezi por, me sa duket, ky i fundit ka refuzuar të marrë në gjirin e klubit të tij mesfushorin ishullor.

Ndërkohë vetë Adriano Galliani, gjatë emisionit sportiv "E dini se", e ka komentuar kështu veprimin e tij: "Lampard është një futbollist i madh, të cilin kam vite që e kam kërkuar të vinte te Milani. Por gjithmonë për një kleçkë apo një tjetër nuk kam arritur ta blej. Pastaj, për fat të keq, ka një pagë prej 5.5 milionë eurosh në vit, të cilën ne nuk mund t’ia paguajmë një futbollisti 34-vjeçar edhe pse ai quhet Lampard".

Me sa duket kuqezinjtë kërkojnë futbollistë të rinj për të përforcuar mesfushën e tyre. Mbi rinovimin e kontratave të futbollistëve kuqezi, Galliani ka shtuar: "Brenda kësaj jave do kemi një panoramë më të qartë se cilët do largohen dhe do qëndrojnë". /albeu.com/
Shtuar më 11/05/2012, ora 11:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori