Lamtumirë Galaxy, Beckham rikthehet në Europë
David Beckham do të jetë emri më i përfolur në merkaton e janarit, pasi ish-kapiteni i kombëtares angleze ka njoftuar se do t'i japë fund aventurës së tij me Los Angeles Galaxy në kampionatin amerikan. Mesfushori do të luajë ndeshjen e fundit në finalen për titullin kampion që do të luhet më 1 dhjetor, ndërsa ka bërë të ditur se kërkon edhe një sfidë të fundit përpara se të largohet përfundimisht nga futbolli.

"Kam kaluar një periudhë të shkëlqyer duke luajtur me Los Angeles Galaxy. Mendoj se ka ardhur koha të mbyll këtë aventurë, por dua edhe një sfidë të fundit në karrierën time", lexohet në deklaratën për media të shpërndarë nga futbollisti.

David Beckham është një nga lojtarët më të mirë të botës në rolin e tij në dy dekadat e fundit. Tani në moshën 37-vjeçare, ai numëron gjashtë tituj kampion me Manchester United si dhe ato të fituar në Spanjë dhe Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit.

Po ashtu, lojtari ishte një nga emrat më të përfolur gjatë merkatos së verës, madje në atë kohë ai ishte shumë pranë transferimit te Paris SG. Ky opison kthehet sërish në lojë dhe kryeqyteti francez është destiancioni i ardhshëm më i mundshëm i David Beckham, që kërkon të mbyllë karrierën e tij në Evropë. Konfirmimi për këtë është edhe refuzimi i fundit që mesfushori anglez i ka bërë ofertave nga Australia. /albeu.com/
Shtuar më 20/11/2012, ora 16:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori