Ish-presidenti i Barcelonës, Joan
Laporta, zbuloi disa nga detajet e projektit të tij, me të cilin do të konkurrojë për t’i ngjitur sërish në krye të klubit
katalanas në
zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në vitin 2016.
51-vjeçari fillimisht sqaroi se gjatë takimit të pak ditëve më parë me menaxherin e njohur Jorge Mendez nuk është folur për Jose Mourinhon.
"Mourinho është një profesionist i madh të cilin e respektoj, por nuk e kam përmendur gjatë bisedës me Mendes, me të cilin më lidh një miqësi e hershme. Ndodh shpesh që të takohemi dhe të flasim për çështje të ndryshme, por në asnjë rast nuk kemi folur për Jose Mourinho", është shprehur
Laporta.
Më pas
Laporta zbuloi disa detaje të projektit të tij, me të cilin synon të fitojë
zgjedhjet presidenciale.
"Nuk do të veproja njësoj si në 2003. Dëshiroj një projekt që do ta kthejë Barcën në referencë të botës së futbollit. Projekti im inovator do të bazohet në shtyllat e suksesit të mëparshëm. Duhet t’i jemi besnikë stilit gjenial të lojës, atij stili të Krujfit, duke u bazuar te talentet e shtëpisë", tha ish presidenti
katalanas.
Ai e ka të qartë se Guardiola nuk mund të rikthehet më te Barcelona si trajner, por këmbëngul se ai mund të bëhet në të ardhmen
president i Barcelonës.
"Guardiola do të ketë atë që dëshiron. Askush nuk mund të vendosë mbi të ardhmen e tij. Ai ka aftësinë për të bërë atë që dëshiron në këtë klub. E tregoi kur ishte në rolin e trajnerit. Ai ka inteligjencën për të qenë
president i klubit", u shpreh
Laporta.
Dhe në fund, një mal me kritika për presidencën aktuale, që sipas Laportës, shkatërroi atë që kishin ndërtuar më parë. /albeu.com/
Shtuar më 16/11/2014,
ora 11:45