Legjenda bën për ujë të ftohtë Dybalan: Je 25 vjeç, kur do e tregosh veten
Nëse i hidhet një sy koleksionit të trofeve të Paulo Dybala-s, karriera e tij duket perfekte. Tituj, kupa, dy finale në Champions League dhe një rol si protagonist tek Juventus.

Këtë vit, argjentinasi ka patur më pak hapësira për shkak të pranisë së Cristiano Ronaldo-s, por mbetet një nga lojtarët më të mirë të "Zonjës së Vjetër". Ndoshta nuk do të jetë Messi i ri, siç ka thënë dikush në fillimet e tij me bardhezinjtë, por ai ka një problem të përbashkët me "Pleshtin", Argjentinën.

Numri 10-të i Barcelona-s ka një marrëdhënie dashuri/urrejtje me kombëtaren dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Dybala. Ky është mendimi i Claudio Caniggia-s, legjendë e futbollit argjentinas. Ish-lojtari i Verona-s, Roma-s dhe Atalanta-s i ka bërë një thirrje të vërtetë yllit të Juventus.

"Kur do ta tregosh veten me të vërtetë? Je 25 vjeç. Je një futbollist i madh. Luan tek Juventus me 10-ën në kurriz, por unë dua të të shikoj me kombëtaren. Dua që t'i të tregosh veten dhe të luash me kombëtaren", ka thënë Caniggia nga studiot e "Fox Sports".

"Është një lojtar i madh dhe një djalë i mirë, por është 25 vjeç. Duhet të marrë përsipër skuadrën. Kjo vlen për të dhe për Lo Celso-n".

Po çfarë do të thotë "të marrë përsipër skuadrën"? Nga ana tjetër, kur Messi është në fushë, është normale që të gjithë topat t'i shkojnë atij.

"Duhet të jenë tre ose katër futbollistë që të udhëheqin ekipin, më pas të tjerët të ndjekin, siç ndiqnin Burruchaga-n, Maradona-n, Valdano-n. Dhe kur them se duhet të marr përsipër skuadrën, do të thotë se të gjithë duhet ta bëjnë. Nëse luajmë në krahun e majtë dhe Messi është 30 metra larg, duhet të vazhdojmë të luajmë në të majtën".

"Nuk mund të presim që Messi të zgjidhë gjithçka. Unë dua të shikoj në kombëtare lojtarë që marrin topin dhe jo që mendojnë se ku është Messi", ka thënë Caniggia.

Një metodologji që nuk ka funksionuar në vitet e fundit. /albeu.com/
Shtuar më 23/04/2019, ora 20:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori