Legjenda e United dënohet nga federata angleze
Paul Scholes është gjobitur me tetë mijë funte nga Federata e Futbollit e Anglisë, pasi e pranoi se i kishte shkelur rregullat e kësaj federate, duke vënë baste për ndeshje futbolli.

Ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Anglisë, Paul Scholes, u padit në prill pasi u zbulua se i kishte vënë 140 baste për ndeshje futbolli gjatë periudhës gusht 2015 – janar 2019.

Periudha e shkurtë e Scholes në pozitën e trajnerit të klubit të Ligës së Dytë, nivelit të tretë të futbollit në Angli, Oldham Athletic, filloi në shkurt të këtij viti, mirëpo ai prapëseprapë i shkel rregullat e Federatës së Anglisë, pasi që gjatë periudhës kur kishte vënë baste ka qenë drejtor i Salford Cityt.

Me ish-bashkëlojtarët e tij në Manchester United – Gary Neville, Phil Neville, Ryan Giggs, Nicky Butt dhe David Beckham – Scholes ka në pronësi aksione në Salford City, që për herë të parë në histori të vet është promovuar në ligën e futbollit sezonin e kaluar.

Tetë nga bastet e Scholesit ishin vënë për ndeshjet në kuadër të FA Cup, mirëpo të gjitha ishin bërë në fazat pasi Salford City ishte eliminuar nga gara.

"Komisioni i Pavarur Ligjor e ka gjobitur Paul Scholesin me tetë mijë funte dhe i ka dhënë vërejtje për të ardhmen, pasi ai e pranoi se i kishte shkelur rregullat e Federatës angleze lidhur me vënien e basteve", thuhet në deklaratën e lëshuar nga Federata.
Shtuar më 19/06/2019, ora 17:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori