Lenjani: Ta harrojmë Portugalinë, duam fitore me Danimarkën
Pëlqej
Ka luajtur vetëm ndeshjen e katërt me fanellën e Kombëtares dhe ka fituar besimin e trajnerit Xhani De Biazi. Fjala është për mbrojtësin e majtë, Ermir Lenjani, i cili ka rrëmbyer edhe zemrat e tifozëve kuqezi. Mbrojtësi i skuadrës zvicerane St. Gallen ka folur për gazetën “Arena” rreth ndeshjes me Portugalinë, ku Kombëtarja e Shqipërisë arriti të fitojë 1-0. Ai fillimisht tregoi se është krenarë që është pjesë e ekipit që udhëhiqet nga trajneri italian, De Biazi. “Shumë mirë po ndihem si pjesë e Shqipërisë. Jam krenar që po e vesh këtë fanellë dhe dua që ta ndihmoj në çdo ndeshje për ta çuar përpara Shqipërinë, pasi ne lojtarët ia kemi borxh Kombëtares ta çojmë drejt sukseseve”, deklaroi fillimisht Lenjani.

Më pas, mbrojtësi i majtë foli edhe për ndeshjen me Portugalinë, ku, përveç përgatitjes së mirë nga trajneri, ka ndikuar edhe vetëbesimi i lojtarëve për të fituar. “Trajneri na ka përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje dhe vetëbesimi i të gjithë lojtarëve ka bërë që ta fitojmë. Ka qenë lojë shumë e vështirë, mirëpo ne ia dolëm, edhe pse askush nuk e besonte që do ta fitonim këtë ndeshje”, deklaroi kosovari.

“I mposhtim danezët”

Fitorja ndaj Portugalisë duhet të harrohet sa më parë dhe të mendohet për ndeshjet e radhës. Kjo është porosia e Ermirit për shokët e skuadrës dhe tifozët e Kombëtares. “Ne duhet ta harrojmë sa më shpejt fitoren ndaj Portugalisë dhe të shikojmë para. Dy ndeshjet e radhës ndaj Danimarkës dhe Serbisë janë tejet të rëndësishme për të vazhduar më tutje. Duhet të japim 200% nga vetja jonë që t’i marrim tri pikë fillimisht ndaj Danimarkës e pastaj të shkojmë në Beograd dhe t’i tregojmë Serbisë se kush jemi”, shtoi mbrojtësi nga Kamenica. 25-vjeçari mendon se Kombëtarja e Shqipërisë ka gjasa të mira të kualifikohet për në Kampionatin Europian. “Kemi shanse, por duhet të luajmë si me Portugalinë. Kemi një ekip shumë të mirë dhe shpresoj të kualifikohemi. Besoj se në fund do t’i kemi mbi 15 pikë”, u shpreh Lenjani.

“Isha afër Zyrihut”
Lenjani aktualisht është pjesë e ekipit zviceran St. Gallen, por që shumë lehtë ka mundur ta ndërrojë atë për të kaluar te Zyrihu. “Kam pasur kontakte me Zyrihun, drejtuesit e të cilit ishin të gatshëm t’i paguanin 750 mijë euro për kartonin tim St Gallenit, mirëpo në fund ka dështuar gjithçka. Arsyeja e dështimit të transferimit ishte se nuk do të mundja të luaja në Ligën e Evropës me Zyrihun dhe për këtë kam vendosur të qëndroj këtu së paku deri në janar”, tha Lenjani, i cili nuk e përjashton mundësinë edhe të largohet nga kampionati zviceran. “Nuk e kam rinovuar kontratën me klubin tim dhe vitin e ardhshëm jam lojtar i lirë. Ekziston mundësia të shkoj te Zyrihu, por ndoshta edhe në ndonjë kampionat tjetër. Varet prej ofertave, pra cila do të më përshtatet më shumë”, përfundoi lojtari i Kombëtares. /albeu.com/
Shtuar më 15/09/2014, ora 12:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori