Leo Mesi vs. Kun Aguero
Albeu.com
Në një sondazh të “Gazzetta dello Sport” janë ndarë nga vetëm 2 mijë vota. I pari është Mesi, i dyti Aguero.Më pas, 12000 votat më poshtë, është një tjetër protagonist i madh i kësaj “La Liga”, Rud Van Nistelroi. Akoma shumë më mbrapa janë gjithë të tjerët.

Miqësia fituese

Mesi e Aguero janë miq, së bashku kanë fituar një Botëror për Under 20, në 2005, kur i pari kishte mbushur 18 vjeç dhe i dyti 17, e një medalje të artë olimpike, disa javë më parë në Pekin në kompeticionin e Under 23 (me disa jashtë kuote), që ata kanë zhvilluar në moshën 21 e 20 vjeç.

Në Spanjë që të rinj

Luajnë së bashku edhe në Kombëtaren e të rriturve, kanë mbërritur në Spanjë në moshë të re: 13 vjeç Leo dhe 18 për Kun. Duken sikur kanë dalë nga një karton i animuar japonez dhe janë si xhuxha: 169 kundër 172 centimetra. Sot në mbrëmje do t’i japin jetë ‘superndeshjes’ së javës së shtatë të “La Liga”-s. Barcelona-Atletiko Madrid, në orën 22:00 në Kamp Nou. Të parët janë -3 pikë nga Vijarreal e Valencia, të dytët në -4 pikë. Humbja mund të jetë e rëndë për secilën. Edhe sepse Atletiko vjen nga një dështim në shtëpi ndaj Seviljes, edhe pas në dy javët e ardhshme do të përballet me Real Madrid e Vijarreal (ndërmjet tyre me Liverpulin në Champions…).

Gjenerata e re

Të dy janë shumë miq, dhe me të tillë si Tevez, Gago, Banega, Laveci, prezantojnë gjeneratën e re të futbollit modern të Argjentinës, që në kombëtare i kundërvihet Rikelmesë. I pari konsiderohet pasuesi i Maradonës, por vjehrri i ardhshëm i Kun (që pret një fëmijë, djalë, nga Xhanina Maradona) nuk humbet rastin për ta sulmuar ashpër. I dyti, inspiron paralele me Romarion, i jashtëzakonshëm në zonën e rreptësisë.

Në super-formë

Leo e Kun janë edhe në një super-formë: në këtë fillim sezoni 6 gola në 7 ndeshje për numrin 10 të Barçës, 5 në 7 ndeshje për numrin 10 të Atletikos. Të adhuruar në “La Liga”, të respektuar në Champions, Leo është ylli i Barçës, që dëshiron të rilindë, Serxhio është brilanti i Atletiko, që shpreson më në fund të dalë nga errësira. “Do të të mund, Kun”, ka thënë Mesi. “Kur luajmë kundër njëri-tjetrit, fitoj gjithmonë unë”, është përgjigjja e Agueros. Sot do të jetë verdikti. (t-ch)
Shtuar më 05/10/2008, ora 21:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori