Lerini fjalët, luani futboll
Ndryshe nga polemistët që e rrethojnë te Reali i Madridit, Ricardo Kaka është shquar gjithnjë për diplomacinë e tij në fushë dhe jashtë saj. Fantazisti brazilian tha se nuk i intereson aspak gjysmëfinalja e Barcelonës me Chelsea dhe nuk e mendon vetëm për rivalin e madrilenëve, Bayern Mynih.

"Do të doja të flisja për kundërshtarin tonë të radhës. Nuk më intereson çifti tjetër gjysmëfinalist. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Gjermanët po ecin mirë dhe asgjë nuk mund të parashikohet. Por ne kemi besim se do t’ia dalim pavarësisht respektit për ta", u shpreh ish-ylli i Milanit, i cili ashtu si në Nicosia, gjeti rrugën e rrjetës edhe në "Santiago Bernabeu".

29-vjeçari është shumë i kënaqur me rikthimin në formë dhe shpreson të vazhdojë kështu: "Jam mirë dhe po luaj gjithnjë e më shumë. Më mjafton ta ndihmoj skuadrën".

Dhe kur gazetarët e provokojnë se çfarë mendon për vendimet e arbitrave, mesfushori i jep një leksion trajnerit të tij Jose Mourinho: "Unë hyj në fushë pa menduar se arbitrat do të gjykojnë me tendencë kundër nesh. Një ditë vendimet e tyre mund të jenë në favor të skuadrës tënde, ndërsa një ditë mund të jenë kundër. Është normale", përfundoi Kaka
Shtuar më 06/04/2012, ora 12:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori