Leverkusen në krye me fitore të njollosur (VIDEO)
Bundesliga ka Bayern Munchen, kampion te Europës, Bundesliga ka Borussia Dortmund, që me lojën e saj shampanjë është e aftë të entuziazmojë dhe rivalizojë bavarezët, por në krye të klasifikimit të paktën për 24 orë është Bayer Leverkusen, paçka se suksesi njollohet nga një episod me të vërtetë i paprecedent me arbitrin që akordoi si të rregullt golin e 2-0 të Kiesling në minutën e 70 me topin që kishte hyrë nga jashtë katërkëndëshit dhe në sajë të kësaj parregullsie mund të ndodhë gjithçka deri te mosnjohja e rezultatit për gabim teknik.

Skuadra e Sami Hyppia i shikon të gjithë nga poshtë në klasifikim pasi fitoi me rezultatin e pastër 2-1 në "Rhein-Nekar Arena" ndaj vendasve të Hoffenheim në sfidën që celi javën e 9-të të kategorisë maksimale në Gjermani, të udhëhequr tashmë pikërisht nga Leverkusen në kuotën e 22 pikëve 2 më shumë se Bajerni dhe tre pikë larg Dortmundit. Një tjetër provë force kjo pas ndaljes që i bënë pikërisht Bajernit në sfidën para pauzës së kombëtareve.

Nga një gol në cdo pjesë i mjaftoi "Aspirinave" për t’i bërë ndoshta me dhimbje kokë, jo vetëm kundërshtarët e Hofenhajm por dhe Bajernin e Dortmundin që tashmë shohin t’u rritet presioni para sfidave të fundjavës. Ishte Sidnei Sam ai që zhbllokoi rezultatin për Leverkusenin në minutën e 26 me një të majtë nga jashtë zonës pas asistit të Gonzalo Castros.

Hoffenheim u përpoq të përgjigjet me Tobias Strobl dhe Kevin Volland pa mundur të ndryshojë rezultatin në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë më të qetë pas avantazhit "Aspirinat" e kishin të thjeshtë për të kontrolluar lojën dhe tentativat e të zotëve të shtëpisë derisa Stefan Kiesling dyfishoi në minutën e 70’ falë një episodi tragji-komik i destinuar të bëjë për të folur gjatë, me topin e goditur me kokë që përfundoi në rrjetë, por hyri nga ana e jashtme e saj.

Gjithçka e rregullt për arbitrin aq sa vetë Kisling vë duart në kokë, por gjithsesi zgjodhi të tregohet pragmatist duke mos e denoncuar episodin si të parregullt.

Ndoshta ishte pikërisht ky epidos ai që irritoi Hoffenhaimin dhe i bëri më të nxehta minutat e mbetura, pasi në minutën e 83-të vendasit fituan një njëmbëdhjemetërsh në anë të Roberto Firminos, nga pika e bardhë ishte pikërisht braziliani që shpërdoroi rastin e artë me penalltinë që u prit nga Benrd Leno.

Në fund ai që feston është Leverkusen, por gjithsesi me frikën nëse rezultati do të njihet nga organet disiplinore pasi me një gol që hyn nga jashtë portës mund të ekzistojnë gjithë kushtet për ta anulluar ndeshjen për gabim teknik. /albeu.com/
Shtuar më 19/10/2013, ora 10:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori