Lewandowski "merengues" për 20 milionë?
Robert Lewandowski mund të bëhet lojtar i Real Madrid për shifrën 20 milionë eurove. Golashënuesi i mirënjohur i Borussia Dortmund ka firmosur një parakontratë me Bayern Munchen për sezonin e ardhshëm, por siç bëri të ditur agjenti i FIFA-s Francois Gallardo, ditën e enjte në emisionin "Punto Pelota", kjo marrëveshje mund të anullohet fare mirë nga secila palë në këmbim të 20 milionë eurove dhe kjo gjë vlen si për muajin Janar ashtu edhe në fund të sezonit, në Qershor.

"Los Blancos" tentuan blerjen e tij edhe në fundin e sezonit të kaluar, pas katër golave që sulmuesi polak iu shënoi në ndeshjen e vajtjes, në gjysmëfinale me Borussia-n, sidoqoftë dy golëshi i 25-vjeçarit nga Warsawa në takimin e fundit në Champions përballë Olympique Marseille rizgjoi interesimin e klubit merengues për të.

Rendimenti i ulët i Benzema në këtë fillim sezoni duket se ka ndikuar ndjeshëm në një zgjedhje të tillë dhe tashmë madrilenët kanë vënë në shënjestër pikërisht Lewandowski-n, madje që në merkaton e dimrit.

Guardiola ka dyshime në lidhje me përshtatjen e sulmuesit polak me sistemin e tij të lojës dhe po bën çmos për të frenuar kalimin e tij te bavarezët, pasi preferon të luajë me një numër 9 fals. Në të vërtetë klubi gjerman i ka ndezur dritën jeshile menaxherit të lojtarit që të mund të nisë bisedimet mbi një transferim të mundshëm të tij në Madrid, por kjo është gjithashtu edhe një dëshirë e drejtuesve të Borussia-s, të cilët preferojnë më mirë që ky futbollist të transferohet te Reali sesa të përforcojë rivalët e tyre të drejtpërdrejtë në Bundesliga.

Problemi kryesor me të cilin përballet Reali për të firmosur që këtë sezon me Lewandowski-n është se 25-vjeçari polak ka zhvilluar dy ndeshjet e para në Champions me verdhezinjtë, e gjatë këtij sezoni nuk mund të luajë më me asnjë skuadër tjetër.

Ndër përkrahësit më të flaktë të tij në kryeqytetin spanjoll janë presidenti Florentino Perez si dhe drejtori i përgjithshëm i klubit merengues Jose Angel Sanchez, të cilët në sfidën e kthimit në "Santiago Bernabeu" zbritën në dhomat e zhveshjes për ta pyetur personalisht nëse do t’i pëlqente për të luajtur me "Los Blancos".

Sezonin e kaluar Lewandowski realizoi 39 gola në 56 ndeshje për Borussia-n, ndërsa në këtë fillim sezoni numri 9 numëron 9 gola në 13 takime. /albeu.com/
Shtuar më 12/10/2013, ora 18:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori