Lewandowski nuk mjafton, Bayern zhgënjen në start (VIDEO)









Lewandowski dhe dy golat e tij shpëtojnë Bayern Munich nga një debutim me humbje, fiks 90 ditë nga mbrojtja e titullit kampion.

Tre muaj më parë, falë fitores 5-1 në shtëpi ndaj Frankfurt, bavarezët festonin të shtatin titull në radhë, ndërsa këtë të premte, në startin e sezonit të ri të Bundesligës, në edicionin e 57-të të kampionatit gjerman, përballë Hertha Berlin, kampionët në fuqi janë ndalur në shtëpi në barazim 2-2.

Mbase të dehur nga lajmi i publikuar vetëm pak momente para fillimit të sfidës, për transferimin e brazilianit të Barcelonës, Philippe Coutinho, kampionët në fuqi të Gjermanisë kanë dështuar ta nisin këmbën e mbarë sezonin, edhe pse kaluan të parët në avantazh, duke dominuar kundërshtarët në çerek orën e parë të përballjes.

Tentativat e bavarezëve janë shpërblyer në minutën e 24’, kur Lewandowski ka kaluar vendasit në avantazh 1-0. Pas pasimit të Kimmich është Gnabry që kroson për polakun që me të majtën e tij dërgon topin në rrjetë. Bomberi absolut i sezonit të kaluar regjistron kështu golin e parë për këtë edicion të Bundesligës

Vetëm 12’ minuta ka zgjatur epërsia e bavarezëve, me Hertha Berlin që pasi ka barazuar, më pas në vetëm 3 minuta ka arritur ka arritur të përmbysë gjithçka.

Kështu, në të 36’, një iniciativë fantastike e Lukebakio nga rreth 25 metra, me topin e devijuar në momentin e fundit nga Isibevic ka barazuar shifrat në 1-1, ndërsa tre minuta më vonë, në të 39’Grujic ka përmbysur gjithçka, duke kaluar Hertha Berlin në avantazh, 1-2.

Rezultat ky që ka shoqëruar të dyja skuadrat drejt dhomave të zhveshjes për pushimin e ndeshjes, por vetëm për aq. Pjesa e dytë starton me kampionët në fuqi që synojnë rivendosjen e ekuilibrave.

Nuk ka vonuar materializimi i përpjekjeve dhe si gjithmonë me të njëjtin protagonist, polakun Lewandowski, që bën gjithçka vetë, thuajse. I ndihmuar nga ndërhyrja absurde e Grujic, bomberi i bavarezëve ka fituar një 11-metërsh në minutën e 58’, të shndërruar në gol nga po vetë ai, për të barazuar shifrat në 2-2 në minutën e 60’.


Pavarësisht spostimit të Bayern tërësisht në gjysmëfushën e Hertha Berlin dhe përpjekjeve për të gjetur golin e fitores, 30 minutat e mbetura nuk kanë ndryshuar asgjë në rezultatin final, të sigluar që në minutën e 60’ të takimit.
Shtuar më 16/08/2019, ora 23:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori