Lika u premton tifozëve se Luftëtari do të garojë në të dyja drejtimet
Hasan Lika kërkon të ulë euforinë brenda ekipit. I vetëdijshëm që suksesi me Skënderbeun mund të kthehet në “bumerang” trajneri shfaqet i përmbajtur, duke mos e kursyer edhe ndonjë kritikë.

“Zhvilluam një ndeshje të mirë, fituam me Skënderbeun duke shfrytëzuar maksimalisht rastet përballë një skuadre që na vendosi shumë në vështirësi. Por, tashmë jemi të përqendruar maksimalisht te ndeshja e Kupës me Laçin dhe do të synojmë të përmirësojmë gabimet që bëmë në fundjavë”.

“Objektivi ynë sigurisht është edhe Kupa, që të shkojmë sa më lart. Nuk kemi lënë lojtarë pushim, por kemi vetëm dy të dëmtuar Rapan dhe Lamçen. Do të luajmë me formacionin më të mirë, me qëllimin që të marrim një rezultat sa më pozitiv dhe që të jemi në pozita të mira në ndeshjen e dytë”.

Lika premton se gjirokastritët do të luftojnë si në kampionat ashtu edhe në Kupë:

“Karakteristikat e ndeshjeve të Kupës janë me sistem eliminimi dhe është e rëndësishme të mos pësojmë gol, por nga ana tjetër duhet të mundohemi që edhe të shënojmë. Kjo do të na ndihmonte të ishim më të qetë dhe më optimistë për ndeshjen e dytë, ky është qëllimi ynë. Do mundohemi që të vazhdojmë të luftojmë si në Kupë ashtu edhe në kampionat” përfundoi tekniku. /albeu.com/
Shtuar më 30/01/2018, ora 15:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori