Lila: Do japim gjithçka ndaj Rumanisë
Anësori i kombëtares shqiptare, Andi Lila, në një konferencë për medie para ndeshjes së fundit kundër Rumanisë, është shprehur se djemtë e kombëtares janë të motivuar për të siguruar fitoren e parë në Kampionatin Evropian.

Lila ka theksuar se loja e mirë që e zhvilluan ndaj Francës paralajmëron një formë të mirë edhe ndaj rumunëve.

“E kemi bërë punën e nevojshme për ndeshjen e radhës ku do të japim gjithçka për të marrë një rezultat të mirë për ne. Jemi rikuperuar dhe të gjithë po ndihemi mirë. Në ndeshjen kundër Francës pati ngarkesë fizike dhe e përballuam me sukses, por fati nuk ishte në anën tonë për shkak se pësuam në fund”, ka thënë më tej Lila.

“Ne e bëmë të pamundshëm ndaj Francës për të marrë një rezultat të favorshëm, por nuk arritëm sepse pësuam në minutat e fundit. Do të vazhdojmë përpara. Paraqitja e mirë ndaj Francës është një shenjë e mirë për të treguar një lojë edhe më të mirë kundër Rumanisë”, ka shtuar ai.

“Franca është favorite, por ne nuk u dorëzuam për asnjë moment ku ishim të barabartë. Kundër Rumanisë do ta kemi edhe kapitenin në fushë dhe do të jemi maksimalisht të motivuar për fitore. Loriku është kapiten i madh dhe motiv më tepër për të vazhduar përpara”, në thënë në fund Lila./Albeu.com/
Shtuar më 17/06/2016, ora 18:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori