Lippi kalon në "skaner" dy pretendentët e Serie A
Këtu më poshtë janë fjalët e ish-trajnerit të kombëtares së Italisë, kampion bote më 2006, mbi çështjet aktuale të futbollit. “Milani? Meritat e rezultateve i përkasin Maldinit.

Atalanta? Gasperini po luan një futboll të shkëlqyeshëm”.

Nuk mungoi edhe vlerësimi për punën e Antonio Conte tek Interi dhe “gradimi” i Pirlos më stolin bardhezi, edhe pse pa asnjë ditë eksperiencë në këtë rol.

INTER DHE CONTE – “Ai është njeriu i duhur për të krijuar një ekip fitues. Antonio e bëri këtë edhe në të kaluarën. Nëse sezonin e kaluar kishte shpërthime të caktuara, e bëri që të kishte atë që mori sot, një grup lojtarësh të bollshëm dhe cilësor. Ai gjithmonë ka qenë lider, si lojtar dhe tani si trajner. Është një motivues i shkëlqyeshëm. Edhe këtë sezon, gjithashtu, teknikisht ekipi i tij mund të luajë me të gjithë, si në kampionat, ashtu edhe në Champions. Juventusi mbetet favorit për titullin, pasi ka fituar 9 tituj radhazi, por hendeku me zikaltrit më duket se është ngushtuar”.

PIRLO DHE JUVE – “Ai ishte një lojtar shumë i talentuar. Ky talent, përveç aftësive të tij të komunikimit, çka ndoshta është ajo që ka munguar pak kohët e fundit në drejtimin teknik të Juventusit, do ta shpërblejë. Fuqia e vërtetë e një trajneri, përtej moduleve, është të hyjë në kokën e lojtarëve, për t’i bindur ata për mundësitë e tyre. Andrea ka pasur shumë trajnerë të shkëlqyeshëm si lojtar, është një person i talentuar dhe me një aftësi të madhe komunikuese. Tani po ftillon projektin e tij taktik, por jam i sigurt se do të luajë me tre sulmues, duke i dhënë ekipit ekuilibrin e duhur.

Blerja e Chiesa? Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, një luftëtar me karakter të fortë. Federico mund të jetë një lojtar i plotë, mund të luajë si pjesë e “tridentit” sulmues dhe të shënojë më shumë se 10 golat e sezonit të kaluar. Dybala? Më duket se është pjekur shumë, është një lojtar i rëndësishëm. Sidoqoftë, të jesh lojtar vendimtar nuk do të thotë të luash 70 ndeshje. Gjithashtu, mund të luash 45 ndeshje në nivel të shkëlqyeshëm, nuk ke pse të luash gjithmonë”.
Shtuar më 09/10/2020, ora 19:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori