Liverpool-Arsenal, supersfida e Premier League
Liverpool dhe Arsenal do të takohen sot në “Anfield Road” në një përballje që do të përcaktojë shumë për fatet e zonës Champions këtë sezon. Djemtë e Dalglish vijnë me moral të lartë, pasi u dhanë fund 6 sezoneve pa trofe, duke ngritur një javë më parë kupën “Carling Cup” në “Wembley”. Por, pak orë pas triumfit të 18 herë kampionëve të Anglisë, skuadra e Arsene Wenger dhuroi një festival golash në triumfin 5- 2 në derbin me Tottenham.

Londinezët renditen të 4-t dhe tani synojnë t’u afrohen sa më shumë Spërsave të vendit të 3-të, ndërsa Liverpool është i 7-ti, por ka për të luajtur 1 ndeshje të prapambetur, me Evertonin. Në 9 përballjet e fundit në kampionat mes këtyre klubeve, 6 takime kanë përfunduar në barazim. Nëse miqtë do ta shmangin humbjen, kjo do të ishte hera e parë që ata do të largoheshin nga “Anfield Road” pa u mundur në 5 ndeshje radhazi në Premier League.

Trajneri skocezi ka në dyshim kapitenin Gerrard, i cili pësoi një tërheqje në miqësoren Angli- Hollandë. Ager do të mungojë, pasi danezi pësoi një krisje në brinjë gjatë finales së kupës me Cardif. Por, në krahun e djathtë të mbrojtjes, pritet të rikuperohet Johnson.

“Ne do të tentojmë të marrim fitoren. Do të shikojmë se ku do të na çojnë 3 pikë më shumë. Nuk kam bërë fare llogari. Di që kemi një ndeshje me Arsenalin dhe kaq më mjafton. Është decizive për ne, ashtu siç është e rëndësishme për ‘topçinjtë’. Javën e fundit janë rikthyer në mënyrën më të bukur ndaj Totenhemit, duke shënuar 5 gola në rreth 20 minuta. Do të jetë shumë e vështirë për ne, ashtu siç do të përpiqemi edhe ne t’ua bëjmë ferr”, – tha Keni Dalglish.

Ndërsa trajneri i Arsenalit është shfaqur i kënaqur me rikthimet e disa prej titullarëve në mbrojtjen e tij. Sagna, Gibbs dhe Jenksinson janë të gatshëm. Megjithatë, francezi i shpallur trajneri më i mirë për muajin shkurt nuk ka ende në 100% Van Persie, Vermalen, i cili është aktivizuar në miqësoren e Belgjikës dhe ka përkeqësuar dëmtimin në kavilje. Ramsey nuk do të jetë i gatshëm, ndërsa për Rozickin do të vendoset vetëm në fund. /albeu.com/
Shtuar më 03/03/2012, ora 10:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori