Liverpool dhe Arsenal nisin sulmin për Cavanin
Pëlqej
Pas shpërfilljes nga Radamel Falcao, Liverpool vazhdon kërkimet në merkato për të gjetur pasuesin e Luis Suarez, por gjërat nuk duken aspak të thjeshta. Me identikitin në duar të lojtarit që dëshiron për ta patur në vijën e parë të sulmit, Brendan Rodgers ka identifikuar Edinson Cavanin si të denjë, për të cilin "The Reds" nuk janë të vetëm në garë. Sipas agjentit të uruguajanit, bomberi i Paris Saint Germain do ta dëshironte nisjen e një eksperience të re në Premier League, por ende nuk ka vendosur, ndonëse në tryezë ka oferta konkrete e shumë të rëndësishme.

"Në 6 muajt e fundit ka patur shumë interes për Cavanin. Mund të konfirmoj se konkretisht kam marrë propozime nga Liverpooli dhe Arsenali. Atij i pëlqen të luajë në Angli, por nuk e ka marrë ende një vendim përfundimtar. Cilido qoftë vendimi, ju siguroj se Cavanit nuk i interesojnë fama apo paratë sepse për të rëndësi ka vetëm që të luaj futboll", janë fjalët e Claudio Annellucit, agjentit të ish sulmuesit të Napolit, në një intervistë për gazetën uruguajane "El Telegrafo".

Nga Italia, Cavani kaloi me bujë të madhe te Paris Saint Germain për 53 milionë sterlina, por lumturia e tij nuk zgjati shumë. Përkrah Ibrahimoviç dhe me pozicion të ndryshuar, "El Matador" nuk e ka ndjerë veten komod për asnjë moment në Paris. /albeu.com/
Shtuar më 08/08/2014, ora 10:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori