Liverpooli dhe Atletico ndajne piket
Albeu.com
Të kuqtë e Liverpoolit kanë arritur të nxjerrin një pikë në udhëtim tek ekipi spanjoll Atletico Madrid, në kuadër të grupit D të Ligës së Kampionëve, derisa Marseille i Lorik Canës ka pësuar disfatën e radhës në udhëtim ndaj holandezëve të PSV Eindhoven.
Në mungesë të Fernando Torres, menaxheri i të kuqve, Rafa Benitez, doli në fushë me sulmuesin e ri, Robbie Keane, i cili edhe arriti të shënojë golin e vetëm të pjesës së parë. Goli i Keane erdhi pas 14 minutash lojë, megjithëse ishte i dyshimtë për pozicion jashtë lojë.

Por, spanjollët nuk u dorëzuan, dhe pas tentativave të shumta arritën tek goli i barazimit, shtatë minuta para fundit të ndeshjes, me anë të Simao.

Spanjollët më herët kishin prekur shtyllën, ndërsa një gol i tyre u anulua për shkak të pozicionit jashtë lojë, megjithëse nga xhirimet u duk se ishte i rregullt.

Ndërkohë, pas një pjese të parë pa gola, francezët e Olimpique Marseille kanë pësuar me rezultat 2-0 ndaj holandezëve të PSV Eindhoven, në ndeshjen tjetër të grupit D. Të dy golat për PSV i shënoi Koevermans (72’ dhe 85’).

Me gjithë barazimin, Atletico Madrid do të ruajë kreun e grupit D me 7 pikë pas 3 ndeshjes, i ndjekur nga Liverpooli me po aq pikë. Marseille mban fundin e tabelës pa asnjë pikë të fituar.
Shtuar më 23/10/2008, ora 15:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori