Liverpooli në ankth për rinovimin e Gerrard
Trajneri i Liverpoolit, Brendan Rodgers ka konfirmuar se klubi i ka ofruar kapitenit Steven Gerrard një kontratë të re, por nga ana tjetër këmbëngul se 34-vjeçarit i duhet dhënë më shumë kohë për të marrë një vendim për të ardhmen e tij.

Kontrata aktuale e Gerrard me "The Reds" skadon në përfundim të sezonit, por kohët e fundit janë shtuar spekulimet për të ardhmen e tij, sidomos pas qëndrimit në stol në sfidën me Stoke City.

"Si fillim dua t’ju konfirmoj se përfaqësuesve ligjorë të Gerrard u është ofruar kontrata e re. Mendoj se Steven për gjithçka ka dhënë prej 16 vjetësh në këtë klub meriton respekt dhe i duhet dhënë kohë për të vendosur. Nuk është ndonjë lëvizje e madhe në karrierën e tij, por gjithsesi i duhet dhënë kohë për të reflektuar", është shprehur Rodgers.

Tekniku i Liverpoolit është i sigurt se nuk janë paratë ato që do të ndikojnë në vendimin e Gerrard.

"Në rastin e Gerrard paratë nuk kanë asnjë ndikim. Kam folur disa herë me të dhe vendimi që do të marrë nuk ka lidhje me anën financiare të kontratës. Ai duhet të ketë mundësinë që të vendosë deri në përfundim të sezonit. Unë punoj me Steven dhe shpresoj që ai të vazhdojë karrierën te Liverpooli", vijoi ai.

Steven Gerrard e ka nisur karrierën te skuadra e parë e Liverpoolit në vitin 1998 dhe gjatë 16 viteve me këtë skuadër është aktivizuar në 482 ndeshje në Premier League, duke realizuar 113 gola. /albeu.com/
Shtuar më 01/12/2014, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori