Lojërat Olimpike Dimërore 2018, ceremonia hapëse deri në -22 gradë Celsius
Tensioni mes Koreve ishte shqetësimi kryesor i autoriteteve, kur vendosën të organizonin për herë të parë Lojërat DimërorePyeongchang, por në të vërtetë, për vendasit janë temperaturat ekstremisht të ulëta, ato që po minojnë përgatitjet për ceremoninë e hapjes.

Termometri pritet të shkojë në -22 gradë Celsius të premten, kur delegacionet nga 92 vende të botës, përfshi Shqipërinë, do të parakalojnë për ceremoninë e hapjes në resortin e skive në Korenë e Jugut.

Delegacionet kanë paralajmëruar sportistët që kanë probleme shëndetësore të mos jenë të pranishëm në ceremoni, në stadiumin që do të jetë në qiell të hapur. Meteorologët parashikojnë Olimpiadën më të ftohtë të historisë, e për ata që vijnë nga vende tradicionalisht të ngrohta do të jetë vërtet një shok total, raporton Tch.

Probleme do të ketë gjithashtu edhe për organizatorët dhe infrastrukturën, pasi nuk përjashtohen shtyrjet e orareve të aktiviteteve për shkak të borës masive. Pyeongchang do të bëhet këtë të premte qyteti i parë koreano-jugor që organizon Lojërat Dimërore. Për shkak të përfshirjes së Koresë së Veriut, fqinj problematik komunist dhe kërcënues i shpeshtë i luftës në rajon, ky edicion po cilësohet si ai i paqes.

Në harkun e 16 ditëve, atletë nga 92 vende të globit do të jenë ata që do të synojnë medaljet e lakmuara, e mes tyre, me flamurin kuqezi do të jenë dhe dy skiatorë shqiptarë, Erjon Tola e Suela Mëhilli.

Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, të cilat do të mbahen prej 9 deri më 25 shkurt 2018 në Korenë e Jugut, do të marrë pjesë edhe Kosova.

Ekipin olimpik të Kosovës do ta përfaqësojë skitari Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik: sllallom, sllallom i madh, super sllallom i madh, lëshim i shpejtë dhe kombinim alpik. /albeu.com/
Shtuar më 05/02/2018, ora 21:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori