Lojtarë dhe trajnerë, Europa "zien" nga transferimet
Nga lojtarët, tek trajnerët, tregu i futbollit nuk gjen qetësi edhe pse jemi ende në mars. Sipas mediave italiane, Juventus është vënë në ndjekje të sulmuesit të Chelsea, Fernando Torres, i cili nuk është se po e justifikon shumën prej 50 milionë stërlinash të shpenzuara nga blutë për ta blerë nga Liverpool. Torinezët ndoshta mund ta marrin spanjollin për gjysmën e këtij çmimi, ndonëse edhe 30 milionë euro nuk janë pak.

Ndërkaq, një lojtar i Juventusit kërkohet nga Arsenali. Bëhet fjalë për Claudio Marchision, i cili është piketuar nga trajneri londinez, Arsene Wenger, për të përforcuar mesfushën. Veçse, “Zonja e Vjetër” nuk do të ketë dëshirë që të mbetet pa të, ndërsa lojtari ka firmosur vetëm pak muaj më parë një kontratë të vlefshme deri më 2016.

Ndërkaq, në Milano, presidenti i Interit, Massimo Moratti, po mendon për të zgjidhur rebusin e stolit. Sipas “tg.com”-it, bosi zikaltër po mendon për argjentinasin Marcelo Bielsa. Trajneri i njohur ende nuk ka rinovuar kontratën që e lidh me Athletic Bilbao.

Së fundi, le të bëjmë një udhëtim në Gjermani ku Schalke 04 është gati për shpenzime të mëdha vetëm e vetëm që të mbajë hollandezin e saj Klass Jan Huntelaar. Sulmuesi që ka shënuar 38 gola në këtë sezon deri tani mund të fitojë një kontratë 3-vjeçare me vlerë 8 milionë euro në sezon. /albeu.com/
Shtuar më 21/03/2012, ora 18:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori