"Lojtarëve u kemi borxh vetëm 1 muaj e gjysmë", administratori Lici: Do marrim masa, nëse bojkoti vazhdon
Suad Lici sqaroi dje se klubi njeh si borxh ndaj futbollistëve vetëm një muaj e gjysmë paga. Pas bojkotit të stërvitjes, administratori i Vllaznisë paralajmëroi se do të merren masa ndaj lojtarëve, ndërsa konfirmoi se skuadra mund të luajë me lojtarët e U-19 në vazhdimin e kampionatit. Lici dha një përgjigje edhe për atë se çfarë do të bëhet me kontratat e futbollistëve, të cilat skadojnë më 31 maj.

Suad-Lici
Suad, skuadra bojkotoi stërvitjen. Çfarë po ndodh te Vllaznia?

Ashtu siç e patë, unë bëra një takim me skuadrën dhe natyrisht lojtarët kërkuan të sqaroheshin për pagesën e muajve shkurt, mars dhe prill. Dihet tashmë që kjo nuk është një problematikë e re te Vllaznia. Për këtë janë të informuar edhe vetë lojtarët, pasi ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet e shtetit shqiptar.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Nuk janë miratuar bilancet financiare të klubit për vitin 2018. Në këto kushte, pavarësisht se buxheti është i miratuar, për momentin e kemi të bllokuar dhe nuk mund të bëjmë dot pagesa. Diskutova me lojtarët për çdo gjë, por duhet të kuptojmë se gjendja e pandemisë ka lënë pasoja.

Ne si klub nuk mund të paguajmë një punë të pabërë. Ua bëra të qartë futbollistëve dhe ne do të respektojmë ligjet e shtetit shqiptar. Ata janë në të drejtën e tyre dhe pretendojnë se duhet t’i marrin të plota rrogat për muajt shkurt, mars dhe prill. Siç dihet, në këtë periudhë janë mbështetur me minimumin jetik nga dy pagat që ka dhënë FSHF. Çdo gjë mendoj se është transparente.

OK, por futbollistët nuk dolën në fushë dhe presin një zgjidhje konkrete nga ju, pasi pretendojnë katër rroga të pamarra…?

Shpresoj që brenda dy javësh të marrë një zgjidhje kjo situatë. Unë di të them që deri në muajin janar futbollistët janë të paguar 100%. Klubi u ka borxh futbollistëve një muaj e pak, asgjë më shumë për vetë ligjet e shtetit shqiptar që janë në fuqi.

Si do të bëhet me kontratat, pasi thuajse gjithë ekipit i skadon më 31 maj?

Edhe për këtë çështje folëm me lojtarët dhe u propozuam një shtesë të kontratës për muajt qershor dhe korrik. Natyrisht, në bazë të marrëveshjes për këta dy muaj, lojtarët do të paguhen 100%.

Janë dakord futbollistët me këto kushte?

Jo. Megjithatë, do të marrim një vendim.

Që do të thotë?

Ne si klub do të marrim masat tona. Nëse skuadra nuk paraqitet në stërvitje, sigurisht që do të shikojmë anën ligjore. Tek e fundit, do të luajmë me ekipin U-19. Nuk është ndonjë gjë e re…


Përplasjet në bashki kanë sjellë edhe këtë problematikë. Keni një apel për institucionin që administron klubin Vllaznia?

Kam kohë që diskutoj me kryetaren dhe sekretarin e Këshillit Bashkiak. U kam thënë që kjo çështje është shumë emergjente, sepse nuk mund të lihen pa rroga në këtë situatë, jo vetëm futbollistët, por e gjithë struktura e klubit Vllaznia. Përveç lojtarëve, në klub punojnë mbi 40 persona, të cilët presin të marrin pagat. Kanë 5 muaj që nuk paguhen, kështu që shpresoj të gjejmë një zgjidhje. Duhet të na mirëkuptojnë në këtë situatë pandemie, sepse këta njerëz mbajnë familjet e tyre. Jo të gjithë i kanë mundësitë për ta përballuar këtë situatë.

Besoni se lojtarët do të kthehen në stërvitje sot?

Nuk mund të jap një përgjigje. Ata do ta marrin vetë një vendim. Shpresoj që t’i rikthehemi normalitetit, edhe pse në fund të fundit ajo është një zgjidhje që u takon atyre. Unë jam administrator i klubit dhe duhet të menaxhoj situatën financiare. Mirëpo, për sa kohë unë nuk kam financa, natyrisht që edhe situata del jashtë kontrollit. Lojtarët e Vllazninë janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, por ata deri në janar janë paguar 100%. Nuk mendoj se është një dëm shumë i madh për futbollistët, por pjesa e administratës, ku futen punëtorët e klubit, është një hall i madh, sepse kanë 5 muaj pa rroga. Janë në një situatë më të rënduar se lojtarët, sidomos trajnerët e akademisë.

Lojtarët e huaj dhe ata që janë nga rrethet kanë shprehur shqetësimin se klubi ua ka hequr edhe ushqimin. Si ka mundësi?

Po, është e vërtetë. Prej tri ditësh futbollistët nuk kanë trajtim ushqimor. Kjo situatë do të marrë zgjidhje javës tjetër, sepse ne jemi në procedura, duke qenë se kishte mbaruar kontrata me atë që ka ofruar ushqim për lojtarët. Kësisoj, nga java tjetër, do të kthehet normaliteti. Aktualisht janë duke u ushqyer me financat e tyre.

Në një situatë të tillë kaq kritike, mos ndoshta klubi rrezikon të kthehet në Kategorinë e Parë?

Të jem i sinqertë, këto situata nuk i shërbejnë punës, por unë nuk jam tip që dorëzohem. Nëse ne do t’i rikthehemi normalitetit, besoj se do të marrim më të mirën nga skuadra.
Shtuar më 22/05/2020, ora 16:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori