Lorenz Günter Köstner është tranjeri i ri i Shqipërisë
Lorenz Günter Köstner do të jetë trajneri i huaj i radhës që do të drejtojë kombëtaren shqiptare. Gjermani 59-vjeçar, i cili ka qenë në krye të disa skuadrave në Bundesligë gjatë karrierës së tij, ka pranuar ofertën e Dukës dhe pritet të hedhë të zezën mbi të bardhë sapo të mbërrijë të enjten në Shqipëri, raporton "Sporti Shqiptar".

Trajneri në fjalë ka biseduar me Dukën për kushtet e kontratës, madje menaxheri i tij gjendet në Tiranë, për të rënë dakord për të gjitha detajet. E pra, Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, i janë dashur vetëm disa ditë për të gjetur trajnerin e kombëtares, pas refuzimit të Besnik Hasit.

Kontratë 2-vjeçare Köstner do ta drejtojë Shqipërinë të paktën dy vitet e ardhshme. Presidenti Duka ka qenë kategorik për kohëzgjatjen e kontratës, por duke i lënë një hapësirë rinovimi në rast se do të ketë sukses. Gjermani 59-vjeçar do përfitojë 400 mijë euro për fushatën e ardhshme eliminatore, e cila nis në vjeshtë të 2012-s. Nuk dihet nëse Köstner do të jetë në pankinë për miqësoren e dytë të muajit nëntor, me Maqedoninë në Prilep, por është e sigurt që ndaj Azerbajxhanit do të qëndrojë në tribunë.

Jetë prej shqiptari Burime pranë FSHF-së njoftuan mbrëmë se ndërkohë që Köstner po darkonte në Gjermani me Feliks Magatin, trajnerin e parë të Volfsburgut, menaxheri i tij po përcaktoonte detajet e kontratës. Përveç 400 mijë eurove që do të përfitojë si pagë për dy vitet e ardhshme, FSHF duhet t’i sigurojë një apartament në Tiranë si dhe një autoveturë për t’i mundësuar lëvizjen.

Në të vërtetë, FSHF e ka gati apartamentin që kishte marrë me qira për Josip Kuzhen në një zonë shumë mirë, në pallatin ku jeton Kryeministri Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 09/11/2011, ora 14:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori