Low i përgjigjet Ballack: Nuk më intereson se çfarë thotë
Trajneri Joachim Low ka replikuar me ishlojtarin e tij, Michael Ballack, i cili ishte kundër qëndrimit të tij në stolin e kombëtares së futbollit gjerman. Tekniku i pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme ndaj Holandës ka deklaruar se nuk i interesonte ajo çfarë ka thënë Ballack.

“Çdo njeri është i lirë të shprehë atë që mendon, nuk më intereson fare se çfarë ka thënë Ballack. Di vetëm që do të jem në krye të skuadrës edhe pas kësaj jave”, tha Low.

"Në fundjavën e kaluar ishte një situatë paksa kaotike. Disa lojtarë u tërhoqën në momentet e fundit, pasi kishin pësuar dëmtime. Por Emre Xhan, Bernd Leno dhe Serge Gnabri janë përshtatur shumë shpejt me skuadrën. Jemi në një grup shumë të fortë, por kjo nuk më shqetëson, pasi mendoj se skuadra është gati të luajë ndaj kundërshtarëve të një niveli të lartë. Ndaj dhe më pëlqen Liga e kombeve.

"Pas tërheqjes së Anonio Rydigerit, kemi shumë pak alternativa në repartin e mbrojtjes. Shulc, Ginter dhe Hektor janë në dispozicion. Joshua Kimish do të luajë si mesfushor qendre. Edhe Tomas Myler do të luajë nga minuta e parë.

"Midis Gjermanisë dhe Holandës ka pasur prej vitesh një rivalitet të shëndoshë. Kemi luajtur edhe më parë ndaj tyre. Ata kanë kaluar një fazë jo të mirë, ku nuk kanë marrë pjesë në turnetë e mëdha të 2016 dhe 2018. Por tani ajo fazë ka kaluar dhe ata kanë krijuar një skuadër me kualitete të mëdha. Ndeshja sot do të jetë shumë e vështirë, por kam besim se skuadra do të dijë të tregojë veten e saj.

"Nuk kam ndier asnjë presion të ndryshëm nga më parë që kur jam trajner i kombëtares, prej vitit 2006. Sigurisht që humbjet janë të hidhura. Liga e kombeve është më pak trysni për mua sesa Botërori 2006, 2010 dhe 2014", përfundoi Low.
Shtuar më 13/10/2018, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori