Low mbron Ozil dhe shpreson për Khediran
Joachim Low ka nisur të mendojë që tani për listën e lojtarëve që do të grumbullojë për Kupën e Botës "Brazil 2014", teksa mban ende shpresa se Sami Khedira do të rikthehet i fortë dhe në kohë nga dëmtimi kur të vijë momenti i shpalljes së formacionit.

"Khedira është ambicioz dhe një lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren gjermane. Shpresoj se ai do të marrë pjesë në Botërorin e Brazilit. Për momentin duket në gjendje të mirë fizike dhe nuk ka shqetësime në gju", deklaroi Joachim Low.

Mesfushori i Real Madrid u dëmtua në fillim të nëntorit në miqësoren mes Gjermanisë dhe Italisë. Gjithsesi shanset që Khedira të luajë në Botëror janë të mëdha me Low që edhe në të kaluarën ka grumbulluar lojtarë, edhe pse nuk kanë qënë në formën më të mirë.

"Pavarësisht llojit të kompeticionit, kombëtares i duhen lojtarë me eksperiencë e personalitet dhe që kanë aftësinë të rikuperohen shpejt. Aktualisht kemi disa lojtarë që janë të dëmtuar apo që nuk kanë luajtur për një kohë të gjatë", vijoi Low.

Megjithatë objektivat për Joachim Low në Brazil janë tepër të qarta, ndërkohë që doli në mbrojtje të Mesut Ozil, i kritikuar së fundi për lojën e tij te Arsenali.

"Sigurisht që do të bëjmë çmos për të fituar titullin në këtë Botëror. Përsa i përket Mesut, ai është dhe mbetet një futbollist shumë i rëndësishëm për Gjermaninë, kam shumë besim tek ai", përfundoi tekniku i 3 herë kampionëve të Botës. /albeu.com/
Shtuar më 26/02/2014, ora 17:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori