Low: Shitja e Ozil? E pakuptimtë
Largimi i Mesut Ozil nga Real Madrid nuk vazhdon të krijojë pikëpyetje vetëm mes tifozëve "Los Blancos" pasi shitja e tij te Arsenal cilësohet e pakuptueshme edhe nga trajneri i kombëtares së Gjermanisë, Joachim Low. 24-vjeçari turko-gjerman u transferua në Londër për 45+5 milionë euro, por tekniku teuton nuk arrin të gjejë një përgjigje për këtë veprim.

"Për mua është e pakuptueshme që Real Madrid largoi një nga lojtarët më të mirë me cilësi të larta teknike dhe shumë vendimtar për ekipin. Në këto momente Mesut ka nevojë të ndiejë gjithë besimin e trajnerit", ka thënë Joachim Low.

Gjithsesi, Low nuk dëshiron që mesfushori ta vuajë largimin nga Madridi, duke thurur elozhe edhe për ekipin e tij të ri.

"Nga ajo që kam dëgjuar përpara transferimit të tij, ai nuk kishte mbështetjen maksimale në Madrid dhe dua të theksoj se Arsenali bëri një goditje të madhe me blerjen e tij. Londinezët kanë një skuadër shumë teknike dhe në këtë aspekt Ozil do të rritet edhe më shumë si lojtar, çka i duhet në këto momente kombëtares", vijoi tekniku gjerman.

Mesut Ozil u bashkua me kombëtaren e Gjermanisë në vitin 2009 ku është aktivizuar 47 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola. /albeu.com/
Shtuar më 04/09/2013, ora 19:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori