Lucescu: Moratti për Interin vlen sa Messi
Pëlqej
Ish trajneri i Interit, Mircea Lucescu rrëfeu në një intervistë të gjatë mendimet e tij për situatën që ndodhet klubi zikaltër. Rumuni, aktualisht në stolin e Shakhtar Donetsk, foli edhe për çështjen aq shumë të përfolur të ndërrimit të pronësisë nga duart e Massimo Morattit te ato të indonezianit Erick Thohir.

"Interi nuk është vetëm një ekip futbolli, por një botë e tërë. Këtë vit, zikaltërit janë rikthyer në ritmin e kohëve të lavdishme dhe mund të fitojnë kampionatin. Më duket sikur po shikoj Juven e parë të Contes. Te Interi i tanishëm ka një ide të qartë taktike dhe dëshirë për protagonizëm", është shprehur Mircea Lucescu.

Mazzarri i ka bërë për vete të gjithë, edhe Lucescun që flet me fjalët më të mira për njeriun që i ka ndryshuar fytyrën ekipit zikaltër.

"Eshtë një lider që ka ardhur në kohën e duhur. Edhe zgjedhja e Benitez nga Moratti ishte e mirë dhe ai tani mund të fitojë kampionatin me Napolin, por problemi i tij ishte që erdhi pas Mourinhos. "The Special One" i karikon lojtarët në maksimum për të fituar gjithçka dhe kushdo që e pason është i destinuar të vuajë. E njëjta gjë do të ndodhë me Ancelottin te Reali", është shprehur tekniku rumun.

Lucescu, i cili e drejtoi Interin për vetëm një sezon, dha këshilla edhe për manjatin indonezian, që pritet të marrë kontrollin e shumicës së aksioneve.

"Thohir po vepron me zgjuarsi. Nëse arrin ta bindë Morattin për të qëndruar si pjesë e shoqërisë, do të ishte sikur të blinte Messin. Moratti është një njeri i madh, një zotëri i vërtetë, i dashur për të gjithë nga populli zikaltër. Ai dhe motra e tij janë dy lojtarë të tjerë shumë të rëndësishëm për Interin", vijoi Lucescu.

Kush është lojtari simbol i Interit të sotëm? Lucescu e ka të qartë në kokë dhe identifikon Palacion, për të cilin tha se është një goleador vrastar dhe jo egoist, që vihet në shërbim të skuadrës. Portierin Handanoviç e quajti fenomen, teksa komplimentoi edhe Cambiasson. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2013, ora 12:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori