Luftëtari akord me angolezin Pedro Bengui
Pedro Bengui pritet të jetë goditja e tretë e Luftëtarit në merkaton e janarit.

“Panorama Sport” ka zbuluar dje se sulmuesi nga Angola ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit gjirokastrit dhe tashmë pritet vetëm firma në kontratë për të zyrtarizuar transferimin.

Burime të sigurta në klub tregojnë se prej disa ditësh 23-vjeçari është në bisedime me krerët e Luftëtarit dhe akordi financiar është gjetur.

Mirëpo, problem për bashkimin e tij me ekipin në fazën përgatitore në Antalia është bërë vonesa në pajisjen me vizë dhe më pas bllokimi në aeroportin e Stambollit prej motit të keq. Nga momenti në moment Bengui pritet të mbërrijë në Antalia për t’u prezantuar me ekipin e ri. Bëhet fjalë për një qendërsulmues, i cili do të blindojë repartin ofensiv të bluzinjve.

Në fakt, në dispozicion të trajnerit Mlladen Milinkoviç janë tre sulmues të mirëfilltë, si Arturo Rexhinaldo, Kristal Abazaj dhe Eri Lamçja. Mirëpo, serbi i kishte kërkuar klubit që të forconte këtë repart pas largimit të senegalezit Baptiste Faje, i cili në pjesën e parë të sezonit më shumë qëndroi në stol. Gazeta mëson se Bengui është në pronësi të klubit të njohur qipriot, AEL Limasol, por nuk dihet nëse Luftëtari e ka afruar në formë huazimi lojtarin apo ka blerë kartonin e tij.

23-vjeçari është grumbulluar edhe nga Kombëtarja e Angolës, ku ka luajtur dy ndeshje. Pritshmëritë janë të mëdha, ndërsa trajneri Milinkoviç tashmë krahas blindimit të sulmit, pret edhe të paktën tri afrime, teksa bëhet fjalë për lojtarë që luajnë në mesfushë dhe sulm. Gjasat janë që të afrohet një organizator i mirëfilltë, por edhe një mbrojtës krahu. Në ditët në vijim klubi pritet të zyrtarizojë të gjitha lëvizjet në merkato, pasi me lojtarët që synon ka arritur marrëveshje, por nuk i zbulon emrat./panoramasport

Shtuar më 13/01/2017, ora 15:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori