Luis Enrique: Cuadrado? Merkatoja është e hapur
Pëlqej
Luis Enrique i shikon ende të nevojshme ndërhyrjet për të përforcuar ndonjë pozicion te Barça, teksa heziton ta quajë të mbyllur merkaton. Duke folur para ndeshjes me Club Leon për trofeun Joan Gamper, trajneri i blaugranave shpjegoi gjithashtu largimin e Deloufeu, si dhe paralajmëroi shfaqjen e Luis Suarez në këtë miqësore.

"Nuk mund ta konsiderojmë të mbyllur merkaton sepse gjithmonë duam të bëhemi më të fortë. Deloufeu u largua sepse ky ishte vendimi im. Ka disa aspekte që ky futbollist duhet të përmirësojë në vazhdim. Në lidhje me Luis Suarez, ai është një lojtar i nivelit më të lartë, e dimë se si luan dhe i përgjigjet profilit të futbollistit që donim. Në ndeshjen e radhës do të luajë disa minuta për kënaqësi të tifozëve", është shprehur tekniku asturian.

Çështja e portës shikohet si një temë delikate te Barcelona e këtij sezoni, por nuk mendon kështu Luis Enrique, i cili në të njëjtën kohë pyetet për pozicionin e Messit, të ardhmen e Dani Alves, si dhe rolin e Mascheranos.

"Kam preferencat e mia për portën, por secili prej të treve mund të jetë titullar. Me afrimin e kampionatit, idetë i kam edhe më të qarta. Gjithsesi është e rëndësishme që secili prej tre portierëve më jep garanci. Në skemat e mia, Messi do të ketë liri të plotë në lojën e Barçës. Përsa i takon Dani Alves, ai është pjesë e skuadrës dhe i denjë për formacionin titullar. Për Mascheranon do të studiojmë opsionet që kemi, në mbrojtje apo në mesfushë", vijoi Luis Enrique.

Në fund të konferencës, në lidhje me sezonin e ri të La Ligas që nis pas disa ditësh, tekniku asturian garantoi se Barça e tij ndihet gati, e fortë dhe e karikuar, ndërsa për interesimin rreth Cuadrados, nuk preferoi të japë një koment. /albeu.com/
Shtuar më 17/08/2014, ora 14:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori