Luis Enrique: Stop në merkato? Do rrisim të rinjtë tanë
Barcelona do ta nisë vitin 2015 me një transfertë të vështirë me Real Sociedad, në një sfidë ku ndalohen hapat e gabuar. Janari në fakt është një muaj i mbushur me përballje të shkallës së lartë të vështirësisë, ndaj blaugranat kërkojnë të shmangin ndonjë surprizë të pakëndshme në "Anoeta".

Luis Enrique e ka të qartë se katalanasit do të vuajnë shumë ndaj skuadrës baske, por synimi mbetet vetëm fitorja.

"Do të hyjmë në fushë për të marrë tri pikë. Nëse nuk do të luajmë me innsitet, me siguri që do të vuajmë shumë. Do të jetë një provë e mirë për të gjithë ne. Real Sociedad e ka rritur shumë nivelin e lojës, ka marrë rezultate të mirë dhe ka dalë nga zona e ftohtë", ka thënë tekniku katalanas në konferencën për shtyp.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që nuk e lejon Barcelonën të bëjë blerje deri në janar të 2016 sipas Enriques nuk do të thotë se nuk do të ketë largime.

"Kjo është një situatë e re për ne, por nuk mund të them se, meqë nuk mund të blejmë, nuk do të ketë largime. Masa e marrë nga FIFA është një stimul më shumë për akademinë e Barcelonës që të prodhojë elementë cilësorë për skuadrën e parë. Alves? Është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe unë jam i kanaqur me rendimentin e tij", është shprehur Enrique.

Duke komentuar rivalitetin me Real dhe Atletico Madrid për titullin kampion, Luis Enrique tha se kampionati është i gjatë dhe se e ka të vështirë ta parashikojë renditjen përfundimtare. /albeu.com/
Shtuar më 03/01/2015, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori