Lukaku i lumtur që është pjesë e Interit: E kam pasur ëndërr
Gjigandi belg i cili u transferua gjatë afatit kalimtar të verës nga Manchester United te Interi duket se e ka gjetur menjëherë veten,

Ai ka shënuar 14 gola në 21 ndeshje me zikaltërit.

Belgu ka zbuluar se ai i kishte thënë Contes, gjatë një ndeshjeje kundër ekipit kombëtar të Italisë, se do ta ndiqte atë në të ardhmen.

“Gjithçka kishte nisur në një ndeshje miqësore mes Belgjikës dhe Italisë. Unë e vërejta se ai luante me dy sulmues, Ederin dhe Grazian Pellen, dhe ata krijonin shumë mundësi”, tha Lukaku për marrëdhënien e tij me ish-trajnerin e Italisë tani në Inter.

“Unë e kuptova se me stilin e tij të lojës do të kisha shumë mundësi për të luajtur dhe se stili i tij i lojës do të më ndihmonte t’i theksojë aftësitë e mia fizike”.

“Pas asaj ndeshjeje, ne biseduam dhe ai më tha se do të shkonte në Chelsea, por unë s’pata mundësi ta ndjek atë aty. Kështu që i thash se kur të shkosh diku tjetër në të ardhmen, do ta ndiqja”.

Sulmuesi gjithashtu ka bërë të ditur se ai e kishte shikuar Interin si fëmijë dhe se kishte dëshiruar të luante për zikaltrit. Këtë sezon, ai shënoi në Derby della Madonninan e tij të parë dhe i ndihmoi Interit ta mposhtë Milanin me rezultat 2:0.

“Ishte ndjenjë e mrekullueshme. Të luaj në Itali dhe për Interin ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua”, ka thënë më tutje Lukaku.

“Finalja e parë që e kam shikuar si fëmijë ishte mes Interit dhe Lazios. Unë doja të luaja për Interin, që gjithmonë ka pasur sulmues të mrekullueshëm si Ronaldo, Christian Vieri dhe Adriano”. /
Shtuar më 28/01/2020, ora 13:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori