Lukaku: Këtij Interi dua t’i jap gjithçka
Për të përshkruar vitin e tij të parë në Itali mjafton të nisesh nga numrat, 23 gola në 36 ndeshje në kampionat dhe 9 finalizime në Europa League kompeticionin që e kurorëzoi si më të mirin e turneut.

Romelu Lukaku e përjetoi si protagonist vitin e tij të parë te Inter. Antonio Conte këmbënguli shumë për ta patur në grup, dhe ai e pagoi me gola, për një raport që ka dhënë rezultate për të dy, sic konfirmon vetë sulmuesi në një intervistë të dhënë së fundmi.

"Më ka përmirësuar në gjithçka. Falë trajnerit Conte kam kuptuar kush jam. Ai dhe Interi ishin zgjedhja më e mirë, këtë e kuptova që nga seanca e parë stërvitore", u shpreh sulmuesi zikaltër.

Zhgënjimi që nuk e mbylli me një fitore në finalen e Europa League dhe për autogol të pafat kundër Sevilla-s, nuk gjejnë më vend në mendjen e Lukakut.

"Nuk shkova të tërheq medaljen pas finales. Dhashë shumë për atë objektiv dhe nuk më mbeti asgjë. Mu deshën 4 apo pesë ditë për ta kaluar atë moment, por tani është koha për të shikuar përpara. Kësaj skuadre dua t’i jap gjithçka", tha belgu.

Një dëshirë për t’u rinisur, që e konfirmojë edhe faktet, me 3 gola në 3 ndeshjet e para sezonale që certifikojnë formën e mirë të qendërsulmuesit belg. Skena e radhas quhet Champions League, bankë-prova më e rëndësishme për të provuar ambiciet e skuadrës së Contes.

Sic dihet zikaltërit do të përballen në grupin B me Realin e Madridit, Borussia Moenchengladbach dhe Shakhtar Donets, për të kaluar në 1/8 . Edhe në këtë front, Lukaku me zor pret momentin për tu vënë në provë.

"Sezonin e kaluar bëmë mirë në Champions, por duhet të flasë fusha, pjesa tjetër nuk vlen", u shpreh Lukaku.
Shtuar më 10/10/2020, ora 17:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori