Lukaku zbulon si i "karikon" Conte : Nuk më kishte ndodhur më parë ajo që më bëri ai
Nëse Interi i këtij sezoni është në garë për titullin kampion duke qëndruar pranë Juventusit, atëherë një pjesë të konsiderueshme të meritës e ka trajneri Antonio Conte.

Tekniku zikaltër i jep një shtysë të madhe skuadrës me taktikat e tij, ndërsa gjithnjë është kërkues ndaj lojtarëve në respektimin e çdo urdhri të tij.

Së fundmi, Romelu Lukaku ka treguar për mënyrën si Conte flet me futbollistët dhe faktin se ai është i drejtpërdrejt.

"Më kujtohet në një nga ndeshjet e mia të para në Champions League kundër Slavias së Pragës. Luajta shumë keq në atë ditë. Dhe Conte nuk ma përtoi me fjalë para të gjithë skuadrës. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë në karrierën time. Ai më tha se kisha luajtur si një mbeturinë dhe se në rast përsëritje në ndeshje të tjera, atëherë do të më zëvendësonte pas pesë minutash.

Më preku në atë moment, por gjithashtu edhe më zgjoi. Ai e bën këtë me të gjithë, nuk ka rëndësi kush je. Të gjithë janë të barabartë. Më pas luajtëm derbin dhe unë isha një nga më të mirët në fushë.

Conte e di si të marrë më të mirën nga futbollistët e tij. Duhet të punosh fort, të stërvitesh fort dhe të luash. Nëse nuk bën çfarë thotë ai, atëherë nuk luan. Ti e di vendin tënd dhe për këtë arsye e respektoj shumë", u shpreh Lukaku.
Shtuar më 24/01/2020, ora 14:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori