Lushtaku arrin Përfaqësuesen e Kosovës nga Kukësi
Pëlqej
Një nga përforcimet e bujshme të merkatos së verës për ekipin kuksian është mesfushori Kushtrim Lushtaku. Paraqitja e tij e mirë me skuadrën verilindore ka bërë që së fundmi të grumbullohet nga Kombëtarja e Kosovës. Lajmin për Lushtakun e konfirmoi vetë futbollisti.

"Më ka kontaktuar stafi teknik i Përfaqësueses së Kosovës për mundësinë që të grumbullohem në ndeshjen miqësore ndaj Omanit. Unë normalisht që jam i gatshëm dhe u jam përgjigjur pozitivisht. Tani jam në pritje të ftesës, e cila besoj që do të vijë shumë shpejt", ka thënë Lushtaku për gazetën kosovare “Arena”.

Ai ndihet i përgatitur maksimalisht teksa thekson që çdo futbollist kosovar e ka ëndërr ta djersitë fanellën e këtij vendi.

"Jam i përgatitur në maksimum. Këto tre muaj ia kam kushtuar vetëm futbollit. Gjithmonë e kam pasur ëndërr që të luaj për Kosovën dhe jam i lumtur që kjo ditë po vjen. Besoj që çdo futbollist kosovar e ka ëndërr të luajë për shtetin e vet", përfundoi mesfushori kosovar i Kukësit.

Ndërkohë, përveç Lushtakut, për Kosovën pritet të grumbullohet edhe mesfushori tjetër i Kukësit, Ylli Hoxha. /albeu.com/


Shtuar më 21/08/2014, ora 13:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori