Majlinda Kelmendi, e pesta
Majlinda Kelmendi
Majlinda Kelmendi i ka fituar 80 pikë të tjera olimpike, pasi të shtunën është radhitur në vendin e pestë – në kategorinë 52 kg - në turneun e xhudos “World Masters 2011”, që është mbajtur në Baku të Azerbajxhanit, shkruan Express.

Xhudistja pejane në kuadër të këtij turneu i ka zhvilluar dy lufta. Në xhiron e parë, Kelmendi e mposhti holandezen Bravik Kitty, me ç’rast ajo hyri në mesin e tetë garueseve më të mira të turneut. Por, Kelmendit kualifikimin në gjysmëfinale ia mohoi spanjollja Laura Gomez, nga e cila u mposht në xhiron e dytë.

Por, trajneri i Kelmendit, Driton Kuka, ka fajësuar gjyqtarët për këtë humbje që e pësoi 19 vjeçarja.

“Referët edhe njëherë dolën në skenë dhe garuesja jonë u deshtë të kënaqet me vendin e pestë, sukses ky që i sjell asaj edhe 80 pikë tjera olimpike dhe tani me siguri që Majlinda do të ngjitet në ranglistën botërore olimpike”, ka thënë Kuka nëpërmjet një kumtese për media.

“Ishte Huan Barcos, kryetari i referëve të Federatës Botërore të Xhudos, ai që sugjeroi haptas që spanjollja të shpallet fituese. Por, kjo nuk do ta ndalë Majlindën, e cila do të vazhdojë të punojë”, ka theksuar ai.

Kjo ishte hera e parë që Kelmendi merr pjesë në këtë turne prestigjioz. Në “World Masters 2011” janë paraqitur gjashtëmbëdhjetë xhudistët e xhudistet më të mirë të botës në të gjitha kategoritë, derisa fondi shpërblimi i këtij turneu ishte 200 mijë dollarë.
Shtuar më 16/01/2011, ora 12:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori