Mancheser United e bëri Kosovën pjesë të Serbisë, tifozët kosovarë reagojnë ashpër ndaj klubit anglez
lii
Manchester United është përfshirë në një skandal të madh duke e konsideruar shtetin e Kosovës si pjesë të Serbisë.

Klubi nga Mançesteri ia ka shtuar territorin e Kosovës shtetit të Serbisë, duke e bërë një gabim kontrovers, shkruan Zëri.info.

Gjatë një interviste të realizuar me mesfushorin serb Nemanja Matic, faqja zyrtare e Manchester Unitedit e ka vendosur Kosovën në hartën e Serbisë.

Kujtojmë se Anglia ka njohur Kosovën si shtet, ndërsa ky vend do të takohet dy herë me ‘Dardanët’ në kualifikimet për Euro 2020.

Ky gabim i Manchester United, është kritikuar shumë edhe nga tifozët e kësaj skuadre në Kosovë.

Madje, tifozët e Manchester Unitedit në Kosovë i kanë dërguar postë elektronike “Djajve të Kuq” duke shprehur frustrimin e tyre për këtë lëshim.

Ky është reagimi i plotë i tifozëve kosovarë të Manchester Unitedit:

“Të nderuar. Duke parë artikullin tuaj të fundit rreth Nemanja Matic dhe asaj se çfarë kuptimi ka shteti i tij (Serbia), shprehim keqardhjen tonë dhe indinjatën për faktin se në hartën e postuar nga ju në këtë shkrim e keni cilësuar Kosovën si pjesë të Serbisë. Më lejoni të ju njoftoj se ishte shteti juaj paraprijës i bombardimeve të NATO kundër shtetit serb në vitin 1999 si rezultat i gjenocidit të tyre ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Jemi në numër të madh të fansave të Manchester United në Kosovë dhe si përfaqësues i tyre kërkoj kërkim falje nga ju nga ky gabim juaji, ngase edhe anëtarësimet kur duam t'i realizojmë, Kosova nuk figuron si destinacion për kartelat apo gjërat që na dërgohen. Është hera e 2-3 që ju promovoni atë se çka ndjen Nemanja Matic por asnjëherë të mos kuptoni realitetin e gënjeshtrave të tij për ta definuar shtetin e tij si vend ideal. Manchester United përfaqëson fansa nga e gjithë bota, përfshirë këtu dhe fansa nga shtetet ku lojtarët mund të mos jenë pjesë e atij shteti. Andaj ju lusim të jeni indiferent ndaj faktit se nga vijnë ata lojtarë. Si i mbijetuar i luftës së fundit të zhvilluar nga shteti i Nemanja Matic ndaj popullit tim, shpresoj që motoja juaj 'All red all equal' të mbajë kuptim”.

Pas këtyre reagimeve, ka reaguar edhe Manchester Unitedi duke e rregulluar lëshimin dhe duke e larguar territorin e Kosovës nga harta e Serbisë./Zëri.info
Shtuar më 05/06/2019, ora 09:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori