Manchester City, Pellegrini mbron Lampard
Pëlqej
Manuel Pellegrini i del në mbrojtje Frank Lampardit pas kritikave të shumta që mori futbollisti anglez nga tifozët e Chelsea-it pas transferimit të tij te Manchester City. Mesfushori 36-vjeçar nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me New York City-in, por për vetë faktin se skuadra e tij e re do të regjistrohet në Major League Soccer, vetëm në vitin 2015, Lampard u huazua për disa muaj te "Citiziens".

"Nuk po arrij të kuptoj se si tifozët e Chelsea-it e cilësojnë Lampardin një tradhtar, kur të gjithë e dinë se ishin Blutë e Londrës që nuk i rinovuan atij kontratën pasi dëshira e Lampardit ishte për të qëndruar në “Stamford Bridge", tha tekniku i "Citiziens".

Në vijim, trajneri kilian vlerësoi 36-vjeçarin duke deklaruar se prania e tij në skuadër do ta ndihmojë Manchester City-in në pjesën e parë të sezonit.

"Lampard është një futbollist shumë cilësor dhe unë mendoj se ai do të na ndihmojë shumë në arritjet e objektivave që kemi për sezonin e ri", është shprehur Pellegrini.

Në fund një koment i Pellegrinit për merkaton e deritanishme të kampionëve të Anglisë.

"Jam shumë i lumtur. Gjatë kësaj vere kemi respektuar në maksimum rregullat e vendosura në lidhje me Fair Play-in financiar por ndërkohë kemi në përbërje një ekip më të fortë se sezonin e shkuar. 4 futbollistët e afruar në skuadër deri tani do të jenë shumë të rëndësishëm për ne. Yaya Toure? Janë thënë shumë gjëra në lidhje me të, megjithatë unë dua t’iu siguroj se ai nuk ka pasur asnjë problem me klubin. Yaya është i lumtur te City dhe dëshiron të qëndrojë sa më gjatë këtu", përfundoi tekniku i kampionëve të Anglisë. /albeu.com/
Shtuar më 09/08/2014, ora 16:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori