Manchester United - Arsenal, 1:0 (VIDEO)
Albeu.com
Takimi i parë gjysmëfinal ndërmjet Manchester Unitedit dhe Arsenalit, i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Old Trafford ka përfunduar me fitoren minimale të Djajve të Kuq.Kampionët në fuqi treguan lojë shumë më të mirë në të dyja pjesët e takimit duke e vënë në presion vazhdimisht Arsenalin dhe duke e detyruar të tërhiqet në gjysmën e vetë të fushës.

Megjithatë, përkundër presionit të kundërshtarit mysafirët arrinin të zhvillonin lojën e vet kohë pas kohë, por duke mos qenë të rrezikshëm përpara portës së Van Der Sarit.

Një rast shumë të mirë të pashfrytëzuar në pjesën e parë e pati sulmuesi argjentinas, Carlos Tevez, i cili u gjet përballë portierit Almunia, mirëpo portieri i Arsenalit u tregua më i suksesshëm në të dyja goditjet e argjentinasit.

Shumë shpejt pas këtij rasti erdhi goli i vetëm në ndeshje, të cilin e shënoi mbrojtësi John O'Shea, i cili u gjet më së miri brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit në minutën e 17-të.

Edhe pjesa e dytë ishte mjaft energjike, ndërsa Arsenali u këndell pakëz më tepër dhe u vërejt më shumë në fushë në krahasim me pjesën e parë të ndeshjes.

Mirëpo ishin sërish vendasit ata të cilët e dirigjonin takimin.

Rastin më të mirë për Arsenalin e pati Adebayor, i cili pranoi një top nga Song, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës (64’).

Në saje rasteve të shumta të Manchesterit, vlen të përmendet një super-goditje e Cristiano Ronaldos (70’), e cila tundi transversalen e portierit Almunia.

Sido që të jetë, fitorja minimale nuk siguron asgjë, megjithëse mospranimi i golit nga United ishte veprimi më i mirë për të qenë favorit në ndeshjen e kthimit.

Nga ana tjetër Arsenali duhet të jetë shumë i vëmendshëm dhe të shënojë gola në ndeshjen e kthimit e cila zhvillohet pas një jave në Emirates Stadium.


Shtuar më 30/04/2009, ora 04:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori