Mancini: Do të jemi edhe më të mirë në EURO 2020
Roberto Mancini mezi po pret të fillojë Kampionati Evropian 2020 në stadiumin “Olimpico” verën e vitit të ardhshëm, pasi që skuadra e tij e arriti kualifikimin në këtë turne duke e mposhtur Greqinë me rezultat 2:0.

Kombëtarja e Italisë ka arritur t’i fitojë shtatë ndeshjet e para në kuadër të Grupit J dhe arriti të kualifikohet për në Evropian edhe para se të zhvillohen tri ndeshjet e fundit, diçka që italianët nuk e kishin arritur kurrë më parë.

Jorginho u tregua i saktë nga pika e penalltisë e pastaj Federico Bernardeschi shënoi për t’ia siguruar Italisë fitoren me rezultat 2:0 kundër Greqisë sonte në stadiumin “Olimpico”.

“Djemtë e bënë një punë shumë të mirë. Së pari, unë dua t’i falënderoj tifozët në Olimpico që erdhën dhe na përkrahën, edhe nëse pjesa e parë ishte pak e tensionuar, por ndoshta ne ishim të stresuar që u kthyem në Romë”, ka thënë Mancini.

“Ne dëshironim t’ia dedikojmë këtë fitore fëmijëve në spitalin e të rinjve”, përfundoi italiani.

Greqia u mbrojt me të gjithë skuadrën për pothuajse një orë, mirëpo në fund italianët kaluan në epërsi përmes një penalltie.

“Ne do të takohemi me skuadra që mbrohen vazhdimisht. Ne ishim shumë të shfrenuar gjatë pjesës së parë, por duhet të kishim pritur me më shumë durim për të gjetur hapësira. Në vend të kësaj, ne filluam të luajmë me topa të gjatë që nuk sjellin asgjë”, shtoi trajneri i Italisë.

“Pjesa e dytë ishte shumë më e relaksuar, ne ishim të përqendruar dhe i arritëm synime tona”.

Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për Mancinin, i cili mund ta barazojë rekordin e Vittorio Pozzos me nëntë fitore radhazi në fillim të karrierës me Kombëtaren, që ishte arritur në vitet 1939 dhe 1939, të martën kundër Lihtenshtajnit.

“Pozzo është një legjendë sepse ai i ka fituar dy Kupa të Botës e jo për një ecuri prej nëntë fitoresh. Ishte e mrekullueshme ta shohim Olimpicon kështu dhe shpresojmë se do të jemi edhe më mirë në qershor”.
Shtuar më 12/10/2019, ora 23:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori