Man.United gati për një merkato të nxehtë, pas Sanchos interesohet edhe për Koulibaly
Manchester United po përgatitet për një rikthim të bujshëm në elitën e futbollit anglez dhe atij europian, pas disa vitesh në "agoni", që erdhën me largimin e trajnerit legjendar skocez, Sir Alex Ferguson, i cili drejtoi skuadrën për shumë sezone dhe arriti të fitojë shumë trofe kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Kështu në pankinë pritet të konfirmohet sërish norvegjezi Ole Gunnar Solskjaer, ndërsa sipas mediave angleze, është thuajse i kompletuar transferimi i mesfushorit Jadon Sancho, i cili do t’u bashkohet "Djajve të kuq" menjëherë pas përfundimit të sezonit, ndërsa këta të fundit pritet të paguajnë rreth 100 milionë euro në arkat e Borussias së Dortmundit.

Paratë për blerjen e Sanchos pritet të vijnë nga shitja e Paul Pogba, i cili ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar nga "Old Trafford" dhe duket se edhe drejtuesit e Manchesterit duan t’i plotësojnë dëshirën, ndaj pritet të pranojnë ofertën e Juves ose Realit, dy skuadra të interesuara për kampionin e botës.

Objektivi i radhës i "Djajve të kuq" është kompletimi i prapavijës me një tjetër mbrojtës të fortë, që do të formojë digën mbrojtëse para portierit De Gea, bashkë me anglezin Harry Maguire, i cili u transferua në Mancheseter verën e kaluar për një shifër rekord të paguar në arkat e Leicester.

Emri që Solskjaer ka vënë në krye të preferencave është ai i mbrojtësit senegalez, Khalidou Koulibaly, i cili ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar nga Napoli, por konkurrenca me Paris Saint Germain pritet të jetë e fortë, pasi edhe francezët e kanë prioritet.

Pas disa sezonesh spektakolarë, Koulibaly ka qëndruar më shumë në infermieri këtë vit, ndërsa presidenti De Laurentiis ka pranuar se ka ardhur momenti që t’i lërë rrugë të lirë senegalezit, nëse për të do të vijë një ofertë të paktën 100-milionëshe.

Këtë shifër Manchester United mund ta paguajë pa problem, ndryshe nga Paris Saint Germain, që mund të investojë vetëm nëse arrin të shesë një nga yjet e sulmit, si Kylian Mbappe dhe Neymar, pasi nuk dëshiron të rrezikojë me normat e Fair Play-t Financiar.

Sa i përket sulmit, tekniku norvegjez është shprehur kundër idesë së një transferimi të anglezit Harry Kane, pasi ka konfirmuar besimin ndaj Rashford, ndërsa pritet t’i japë një tjetër shans kilenit Alexis Sanchez, i cili do të rikthehet nga huazimi te Interi.
Shtuar më 21/04/2020, ora 09:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori