Maqedoni: UEFA dënon thirrjet anti Shqipetare
Pëlqej
Albeu.com
Të gjithë institucionet dhe personat përgjegjës që në mënyrë direkte apo indirekte e kanë ndjekur ndeshjen, janë shprehur kundër dhunës dhe politikës në fushat e futbollit. Më poshtë sjellim reagimet e tyre.UEFA
UEFA së shpejti pritet të marrë vendime për të gjitha incidentet dhe transparentet politike që janë shfaqur në stadiumin e qytetit të Shkupit në ndeshjen Maqedoni - Rusi. Anë pozitive e krejt rastit, është se delegati i ndeshjes, austriaku Thomas Partl, njëherësh është edhe kryetar i kontrollit dhe disiplinës pranë UEFA-s. Sipas sekretarit të FFM-së, Mitrevski, ai i ka regjistruar të gjitha parregullsitë të cilat kanë ndodhur në këtë ndeshje.

Sekretari i FFM-së
“Të gjitha incidentet janë problem i policisë. Sa u përket transparenteve, ato janë shpalosur nga tifozët rus dhe me dënimet duhet të ballafaqohet Federata e Futbollit të Rusisë (FFR). Për sharjet dhe fyerjet ndaj shqiptareve nga publiku maqedonas, nuk di çfarë t’ju them. Në momentet e sharjeve nuk kishte asnjë futbollist shqiptar në fushë. Kjo është edukata dhe kultura e fëmijëve tanë”, tha Mitrevski.

Policia
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë është theksuar se policia ka arrestuar 19 tifozë, prej tyre 16 me nënshtetësi ruse dhe tre me shtetësi serbe. Gjashtë prej tyre janë mbajtur për hetime plotësuese. Kundër tyre do të ngrihen aktpadi penale.

Ambasada ruse
“Dënojmë çdo sjellje dhe provokim që kanë bërë tifozët e Rusisë. Ne kemi kërkuar nga ana ata që të respektojnë ligjet e shtetit ku vijnë, pra Maqedonisë. Për prishjen e rendit, me ata do të merret policia”, tha Konstatin Bersenev, sekretar i parë i Ambasadës ruse në Shkup.

Artim Shaqiri
“Nuk dua të komentoj. Ka njerëz përgjegjës të cilët duhet të merren me këtë problematikë. Nuk më vjen mirë kur dëgjoj aso fyerjesh. Kur jam në fushë, zakonisht nuk dëgjoj fjalët e publikut, pasi më dekoncentrojnë në lojë, por kur qëndroj në bankinë gjithsesi është vështirë të dëgjosh aso lloj fyerjesh”, tha Shaqiri. Ai ishte i vetmi futbollist shqiptar, i cili për 35 minuta u aktivizua në takimin Maqedoni – Rusi.
Shtuar më 20/11/2006, ora 15:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori